“Ndryshim i kësaj situate”/ Protestat masive në kryeqytet, aktivisti: Arsyeja kryesore, është keqqeverisja

Protestat e zhvilluara në Tiranë janë nxitur nga pakënaqësia ndaj qeverisjes dhe mungesës së përfaqësimit politik, sipas aktivistit Endrit Bodi. Në një intervistë televizive, Bodi tha se një nga problemet kryesore që duhet të ndryshohet është sistemi zgjedhor dhe veçanërisht listat e mbyllura të deputetëve.
Sipas Bodit, qytetarët dhe diaspora janë bashkuar në protestë për shkak të asaj që ai e cilëson si keqqeverisje dhe mungesë të zërit të sovranit në vendimmarrje.
“Protesta vjen për disa arsye të ndryshme dhe nga qytetarë të ndryshëm, nga diaspora dhe nga shqiptarë brenda vendit. Arsyeja kryesore është keqqeverisja dhe ajo që na shtyn të kontribuojmë është ndryshimi i kësaj situate”, u shpreh ai.
Aktivisti theksoi se problemi kryesor lidhet me listat e mbyllura të deputetëve, të cilat sipas tij bëjnë që përfaqësuesit politikë të varen nga kryetarët e partive dhe jo nga qytetarët.“Listat e mbyllura sjellin deputetë që nuk përfaqësojnë qytetarët. Ata emërohen nga kryetarët e partive dhe ndjekin axhendën e drejtuesve politikë”, tha Bodi.
Ai përmendi si shqetësime edhe çështje të tjera, përfshirë ligjin për investimet strategjike dhe paketën e maleve, duke renditur katër pika kryesore ku, sipas tij, duhet të fokusohet protesta: dorëheqja e kryeministrit, ndryshimi i kodit zgjedhor, kufizimi i mandateve të kryeministrit dhe shfuqizimi i disa ligjeve të miratuara së fundmi.
Bodi argumentoi se një sistem me lista të hapura do të sillte një përfaqësim më të drejtë të qytetarëve në parlament.
“Unë jam me origjinë nga Dibra, por nuk jetoj atje prej rreth 15 vitesh. Nuk mendoj se duhet të përfaqësoj dibranët nëse nuk njoh nga afër problematikat e tyre. Deputetët duhet të zgjidhen nga qytetarët e zonës dhe jo të emërohen nga listat e mbyllura”, deklaroi ai.
Sipas tij, zgjidhja qëndron te një ndryshim i thellë i sistemit zgjedhor.


