Protestat vijojnë të marrin mbështetje në BE/ Eurodeputetja franceze niset drejt Shqipërisë: Populli po ngrihet…

Vala e protestave masive që ka përfshirë Shqipërinë prej më shumë se një muaji kundër qeverisë së Edi Ramës ka gjetur një tjetër mbështetje të fuqishme në arenën ndërkombëtare, këtë herë direkt nga radhët e Parlamentit Evropian.
Eurodeputetja franceze Emma Fourreau, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin e saj social Instagram se po udhëton drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar qytetarëve në shesh.
Visualizza questo post su Instagram
Përmes një mesazhi të qartë dhe të prerë, Fourreau ka deklaruar se qëllimi i vizitës së saj është përkrahja e asaj që tashmë po njihet ndërkombëtarisht si kryengritja mjedisore dhe politike e shqiptarëve.
“Po nisem për në Shqipëri për të mbështetur revolucionin e flamingove rozë!” shkruan eurodeputetja, duke legjitimuar kauzën e qytetarëve në sy të opinionit evropian.
Më tej, zyrtarja e lartë e Parlamentit Evropian nuk i ka kursyer akuzat e rënda ndaj kryeministrit Edi Rama. “Prej më shumë se një muaji, populli shqiptar po ngrihet kundër projektit ekocid dhe korrupsionit të qeverisë socialiste të Edi Ramës,” nënvizon Fourreau në reagimin e saj.
Në mbyllje të mesazhit që ka bërë xhiron e rrjetit, eurodeputetja bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të grabitjes së pasurive kombëtare të vendit, duke u rreshtuar hapur në krah të protestuesve që mbushin bulevardet çdo ditë. “Stop grabitjes së tokave dhe pasurive, mbështetje për shqiptarët dhe shqiptaret në luftë!” përfundon postimi i Emma Fourreau, duke i dhënë një goditje të fortë propagandës së mazhorancës në zyrat e Brukselit.


