Ndjekje si në filma në Lezhë/ Me pist'oletë me fishek në fole dhe makinë të blinduar, kapet 41-vjeçari që nuk i u bind Policisë

Qarkullonte me automjet të blinduar dhe i armatosur, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, kapet dhe arrestohet 41-vjeçari.
41-vjeçari me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, krehri i saj me disa fishekë, si dhe automjeti i blinduar.
Nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Unaza”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Malecaj-Torovicë, Lezhë.
Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.
Pas disa minutash ndjekjeje, në fshatin Malecaj, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.


