VIDEO / 41-vjeçari i armatosur me makinë të blinduar sfidon policinë në Lezhë! Momenti kur policia e ndjek për ta ndaluar

Aktualitet

VIDEO / 41-vjeçari i armatosur me makinë të blinduar sfidon

Një 41-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur me një automjet të blinduar dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Në pranga është vënë Arben Mhillaj, i cili u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar. Policia i ka bërë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi ka lëvizur me shpejtësi.

Efektivët i janë vënë në ndjekje duke bërë të mundur kapjen e tij pas disa minutash.

Policia sekuestroi automjetin e blinduar, 1 pistoletë me fishek në fole dhe krehrin e saj me disa fishekë, të cilat 41-vjeçari i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga policia.

Arben Mhillaj është vëllai i shtetasit në kërkim Florin Mhillaj, 36 vjeç, i dyshuar për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në rrugën “Balldren-Torovicë”, ku u vranë çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Ai akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i policisë:

Lezhë-Finalizohet operacioni i koduar “Unaza” Qarkullonte me automjet të blinduar dhe i armatosur, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, kapet dhe arrestohet 41-vjeçari. 41-vjeçari me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, krehri i saj me disa fishekë, si dhe automjeti i blinduar. Nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Unaza”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:

-A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Malecaj-Torovicë, Lezhë.

Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Pas disa minutash ndjekjeje, në fshatin Malecaj, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT