“Mos bëni pazare”/ Aktori Çun Lajçi tregon përjetimet nga protesta që mbushi Bulevardin: Atdheu nuk është plaçkë

Aktualitet

“Mos bëni pazare”/ Aktori Çun Lajçi tregon

Aktori i njohur nga Kosova, Çun Lajçi, ka ndarë një reflektim emocional pas pjesëmarrjes së tij në protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Lajçi përshkruan atmosferën e protestës, ku sipas tij mijëra qytetarë të të gjitha moshave u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj asaj që e cilëson si “pazare me atdheun”.

Ai shprehet gjithashtu kritik ndaj klasës politike, duke theksuar se debatet për pushtetin po dominojnë mbi çështjet e interesit kombëtar dhe mbrojtjes së territorit.

REAGIMI:

Ata brohorasin. Unë eci e eci, e vargu s’ka të sosun.

Ata nuk ndalen. Unë po. Ulem n’rranzën e nji pishe shtathedhun, si me dashtë me ia marrë frymën tokës e me e ndigjue çka po flet nën kambët e mij.

Pankartat n’duert e vajzave e djemve sikur m’thonë:

— Lexo ti që shkruen, e mos hezito me shkrue nesër kur të kthehesh n’Prishtinë.

Nji gjeneratë rinore asht çue n’kambë. Nji dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit, e nji fllad prej Dajtit, ka zbritë n’Tiranë me shkundë pluhunin e viteve, me ua kujtue njerëzve se atdheu nuk asht plaçkë tregu.

Unë, mbi rranzën e pishës shumëvjeçare, përballë Kuvendit, shikoj pankartat e lexoj:

“Rama n’burg!”

Disa i mbajnë nalt me zemërim, disa me shpresë, e disa veç për mos me u dorëzue.

Ajo nanë e re, mbështjellun me flamurin e kuq e me plis mbi flokë, që e mban foshnjën n’grykë, buçet e thërret:

— Shqipnia nuk shitet!

Mua më përloten sytë. Më lagen faqet.

Fëmija në krahët e saj më shikon e qeshet.

E ajo buzëqeshje ma kthen shpresën. Sikur ma kthen jetën mbrapsht. Sikur vitet bien prej supeve e unë bahem prap çun i ri.

Ngrihem.

Eci me turmën, tue e shikue fëmijën n’krahët e nanës e tue lexue sllogane të ndryshme, e ndër mend më vjen nji pyetje që më ther si gjemb:

— Ç’na duhen fëmijët, nëse ua shesim tokat?

Jo!

“Shqipnia nuk shitet!”, bërtas edhe unë.

Por prap ulem n’trotuar.

Dikush më pyet:

— Je mirë, xhaxh?

Po pse t’mos jem mirë? – ia dredhi. A s’thoshte Isa Begu:

— Unë jam mirë kur Shqipnia asht mirë!

Ai buzëqeshi.

— Aha, nga Kosova qenke!

— Po, nga ajo Kosovë që vazhdon me e dashtë këtë tokë ma shumë se Edi, ma shumë se Salihu, por jo sa ky fëmijë e kjo nanë e re.

E kur i thashë këto fjalë, dola prej turmës së dalldisun.

Por jo prej mendimit.

Sepse turma mbeti pas meje, ndërsa zani i asaj nanës e e qeshuna e atij fëmije vazhduen me ecë me mua rrugëve të Tiranës, si nji amanet që s’duhet harrue:

— Shqipnia nuk asht e jona me e shitë.

Asht e fëmijëve që ende s’dinë me folë, por që nesër kanë me na pyetë çka bamë me tokat.

N’Prishtinë kur zbrita, askush nuk më pyeti për lumin e njerëzve që kishte mbushë Tiranën, tue brohoritë:

— Mos bani pazare me atdheun!

Ata kishin hall tjetër.

Jo Shqipninë, por fituesin e nesërm.

Jo atdheun, por pushtetin.

ME TE LEXUARAT