Pas 7 protestave që i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Ata që vijnë në Bulevard janë të rinj që duan të shfryhen

Politikë

Pas 7 protestave që i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Ata që

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar “çorbë” dhe “spekulime” protestat masive që po mbahen prej ditësh në Tiranë, me pjesëmarrjen e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec dhe jo vetëm. Në podcastin e tij “Flasim”, kreu i qeverisë jo vetëm që nuk shfaqi në asnjë moment dëshirën për dialog me protestuesit, por deklaroi me bindje se projekti në Zvërnec do të realizohet.

Ai tha se banorët e vërtetë të Zvërnecit janë pro projektit.

“10 vite më parë flamingot jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin. 10 vite më parë pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh vinin nga veriu në jug. 10 vite më parë, kur as bëhej fjalë për zona të mbrojtura, pasi ato ishin toka pa zot. Gjithçka bëhej pre e babëzisë.

Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 20 vite të mos e zgjeronim hartën e zonave të mbrojtura në territorin e Shqipërisë? Shqipëria ka reputacion dhe mbështetje nga Suedia dhe shtete të tjera. Fakti që, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në aspekte të tjera, Shqipëria merr kryesimin e Forest Europe, duke marrë stafetën nga Suedia, me bekimin e të gjitha vendeve dhe me mbështetje të zëshme.

Këtë javë Shqipëria ka marrë edhe një tjetër lajm të mirë, përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në UNESCO. Ky është shembulli i forcës që në Shqipëri nuk qeveris një forcë që abuzon dhe shkatërron, por që kërkon të harmonizojë zhvillimin me mbrojtjen e natyrës. Nëse zgjidhja është ose të ndërtosh ose të konservosh, duket se nuk ke kuptuar asgjë.

Këtë javë shkova dhe takova banorët e Zvërnecit. Në një takim, për të gjithë ata që duan ta dinë, vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo kujë apo çdo spekulim i ditëve të fundit. Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, por ata janë njerëz që jetojnë në atë zonë. Ata pretendojnë pronat e tyre aty, aty ku do të zhvillohet projekti.

Nuk shkova të takoja njerëz të mbledhur nga Narta poshtë, por ata që janë aty, ata që kanë interes të drejtpërdrejtë, të drejtën e pronës apo të drejtën për t’u dëgjuar. Në fund gjithçka ishte pozitive, mes njerëzve që diskutojnë si njerëz, pa u përplasur me gurë në trastë.

Pavarësisht kërkesave që kishin, nuk dëgjova prej tyre që ky investim duhej të ndalet. Përkundrazi, ndjeva shqetësim që “aman, mos të ndalet, mos ta humbasim këtë gjë”.

Kjo lukuni e madhe videosh, gjithë këta gazetarë dhe ndërkombëtarë në media që u bënë papritur të interesuar për Shqipërinë dhe zogjtë e saj, e kanë për agjendat e tyre. Disa e kanë me Izraelin që u fut kot në këtë mes, disa të tjerë me SHBA-në, disa janë në konkurrencë politike.

Mos harroni se ekziston një mundësi e madhe që kjo rrëmujë, kjo turmë në bulevard, një turmë e lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe jetojnë me to, influencues që marrin para nga rrjetet sociale dhe nuk paguajnë asnjë taksë, si dhe të tjerë që shprehin pakënaqësitë e tyre, mund të dëmtojë turizmin.

Kanë nisur shenja shqetësuese në Sarandë. Para se kjo të bëhet trend, për ata që kanë prenotuar dhe sjellin të ardhura për familjet, mund të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni? Mbase doni të jetoni me flamingot?

99% e atyre që i mbrojnë nuk i kanë parë kurrë me sy. Projekti do të bëhet. Është një e mirë e madhe për ekonominë tonë, një projekt i madh për Vlorën dhe një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike”, tha ai.

ME TE LEXUARAT