Merr fund makthi i banorëve durrsakë për ujërat e zeza, ministri jep detaje për investimin 85 mln euro

Ministri Enea Karakaçi ka njoftuar nisjen e punimeve në Durrës për modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Karakaçi bëri me dije se projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ndërsa financimi plotësohet nga Agjencia Franceze për Zhvillim.
Sipas ministrit, investimi do të përfshijë 113 kilometra rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh.
“Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, janë rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ku së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës.
Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian. Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth 2/3 e vlerës së investimit.
Në total, projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro.
Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura”, shkruan Karakacci.


