U liruan pas 72 orësh në qeli/ Aktivistët: Arrestim i paligjshëm, protesta nuk ndalet!

Aktualitet

U liruan pas 72 orësh në qeli/ Aktivistët: Arrestim i

Kanë dalë nga ambientet e Bllokut të Sigurisë në Komisariatit në 3, 14 protestuesit që u arrestuan gjatë protestës së 1 shtatorit përpara kryeministrisë, pasi Gjykata e cilësoi arrestimin e tyre si të paligjshëm.

Ata u pritën me brohoritje nga një turmë qytetarësh që ishin mbledhur në mbështetje të tyre. Aktivistja Arvina Lleshi tha se mezi ka pritur që të dalë dhe t’u bashkohet qytetarëve në shesh.

“Mezi kam pritur që të dal dhe të vazhdoj me protestën. Një ndër arsyet pse protestoj është për mamanë time që vuan nga skizofrenia prej 13 vitesh. Trajtohet me një kemp 120 mijë lekësh pa asnjë shërbim tjetër. Unë me motrën kujdesemi për të. Në momentin që u arrestova, po u thosha policëve se duhet të komunikoja dhe me keqardhje mu përgjigj se po të kishe mamin sëmurë nuk do të dilje fare në protestë.”, tha ajo.

Arben Kola, i cili ishte gjithashtu i arrestuar, tha se Rama po përdor dhunë ndaj tyre, por ata kanë vendosur t’i përgjigjen me paqe.

“Ramoviçi ka vendos të përballet me dhunë, por ne i përgjigjemi me paqe. Unë po bëja thirrje me megafon, duke i thënë policisë mos e agravoni situatën.

Ata më kapën në një mënyrë barbare. Pa asnjë shkak. Unë protestoj për rrëzimin e kësaj qeverie të korruptuar që ka shkatërruar dhe shpopulluar Shqipërinë, që ka shkatërruar natyrën, arsimin, mjekësinë dhe çdo industri. “, tha Kola.

Ndërsa aktivisti Edison Lika theksoi se arsyetimi që përdori gjykata se arrestimi i tyre ishte i paligjshëm është një arsye se  qytetarët duhet të ngrihen çdo ditë e më shumë në shesh.

“Për mua vendimi që ka dhënë gjykata sot se arrestimi ka qenë i paligjshëm dhe protesta e drejtë, duhet të ftojë të gjithë qytetarët që të bashkohen sot e përditë më shesh. Nuk ka pasur arsyetim më të madh se ky regjim duhet rrëzuar njëherë e mirë”, u shpreh ai.

ME TE LEXUARAT