Kanosi kushëririn për 300 mijë euro/ Zbulohen detaje të reja nga kërcënimi në Vorë

56-vjeçari Ardian Muka, i arrestuar në Vorë për kanosjen e kushëririt të tij me qëllim marrjen e 300 mijë eurove, kishte lënë një plumb në zarfin ku ndodhej letra kërcënuese.
Sipas burimeve, Muka dyshohet se e kishte përsëritur të njëjtën skemë edhe verën e vitit të kaluar, por familjarët kishin zgjedhur të mos e denonconin rastin.
Në letrën kërcënuese, 56-vjeçari kishte shkruar udhëzime të detajuara për dorëzimin e parave: “300 mijë eurot lidhini në një qese dhe vendosi tek depozita e gazit mbas shtëpisë, pastaj do ju shkruaj unë se ku do t’i vendosni sërish”.
Hetuesit dyshojnë se autori ishte banor i zonës së Gërdecit, pasi letra përmbante detaje që lidhen me jetën e familjes së kërcënuar.
Madje, sipas hetimit, mënyra e të shkruarit dhe gabimet në letër ndihmuan policinë në identifikimin e tij.
Situata u bë edhe më alarmante pasi në kërcënime përmendej mundësia e vendosjes së eksplozivit në banesë, çka solli përfshirjen edhe të hetuesve të krimeve të rënda.
Muka, i cili kishte qenë emigrant në Greqi, tashmë ndodhet i arrestuar dhe akuzohet për shtrëngim me anë të kanosjes dhe mbajtje municionesh.


