“Jam i falimentuar, nëse shteti s’më ndihmon”/ Fermeri flak 30 tonë domate: Ngricat i prishën

Fatjon Asllani, fermer në zonën e Zharrëzës, në Patos ka rrëfyer se rreth 30 tonë domate janë shkatërruar plotësisht, duke sjellë një bilanc të rëndë dëmesh.
Ai bë me dije se ngricat e ditëve të para të vitit 2026 kanë goditur rëndë serat, duke shkatërruar të gjithë prodhimin. Asllani tregon se asnjëherë më parë nuk ka përjetuar një dëm të tillë si pasojë e temperaturave nën zero.
Sipas tij, dëmi financiar kap vlerën mbi 2 milionë lekë të reja, një goditje e rëndë për ekonominë e familjes së tij. Gjithashtu fermeri pohon se nuk ka më mundësi financiare të tjera dhe nëse nuk do të ketë ndihmën e shtetit, fermeri është i falimentuar
“Kur erdha në sera në 1 janar, pashë gjithë prodhimin të shkatërruar. Gjithçka ishte ngrirë. Nuk kishte më asgjë për të shpëtuar.
Kam pësuar dëme edhe nga përmbytjet, por kjo është goditja më e rëndë. Shpresa ime e vetme është dëmshpërblimi. Nëse nuk do të kem ndihmën e shtetit, jam i falimentuar. Nuk kam asnjë mundësi tjetër”, deklaroi fermeri.


