E rëndë në Itali/ Po shoqëronte vajzën për në shkollë, 42-vjeçarja shqiptare përplaset për vdekje nga kamioni

Një aksident i rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në San Donà di Piave, pranë Venedikut, ku 42-vjeçarja shqiptare, mamaja e tre fëmijëve e identifikuar si Lavdije Istrefi, është përplasur nga një kamion plehrash.
Përplasja rezultoi fatale për të, pasi shqiptarja humbi jetën në vendngjarje.
Ngjarja merr përmasa më tragjike pasi mësohet se aksidenti ndodhi para syve të vajzës 9-vjeçare të shqiptares.
Sakaq, mediat italiane shkruajnë se kamioni i plehrave po kthehej djathtas në një rrugë anësore në kryqëzimin me Via Paolo VI kur mori përpara shqiptaren.
42-vjeçarja po dërgonte vajzën e saj në shkollë, kur papritmas kamioni i plehrave i mori jetën. Fatmirësisht raportohet se vogëlushja e saj e kishte kaluar rrugën e gëzon shëndet të plotë, ndërsa thuhet se është në gjendje shoku pasi pa mamanë e saj duke dhënë frymën e fundit.
Vdekja e shqiptares bëhet akoma më tronditëse pasi mësohet se shkaku i aksidentit fatal që i mori jetën janë bërë pasqyrat e kamionit, të cilat nuk mundësonin një pamje të qartë.
Ndërsa raportohet se në vendngjarje dolën menjëherë autoritetet vendase të cilat punuan për të ngritur me vinç kamionin për të nxjerrë nga shqiptaren, duke ngritur dyshimet se Lavdije Istrefi pas përplasjes ngeci nën rrotat e mjetit të tonazhit të rëndë.
Aksidenti i shqiptares ka tronditur të gjithë sidomos personat që ishin të pranishëm në vendngjarje dhe stafin e shkollës së vajzës së saj, e cila raportohet se ditën e sotme, të tronditur për vdekjen e shqiptares kanë pezulluar mësimin.


