Italia dhe Greqia ndihmojnë Shqipërinë me avionë për zjarret, shuhet ai në Belsh

Aktualitet

Italia dhe Greqia ndihmojnë Shqipërinë me avionë për

Zjarri në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë e Belshit, është shuar plotësisht pas një operacioni intensiv dhe të koordinuar të strukturave të emergjencës. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë, si dhe me ndihmën e dy mjeteve zjarrfikëse dhe trupave të Forcave të Armatosura, është shmangur përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe ka përfshirë gjithashtu edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në shuarjen e vatrave më të rrezikshme. Aktualisht, në terren ndodhen forcat e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë që po kryejnë krehjen e zonës për të parandaluar rindezjen e ndonjë vatre të fshehur.

Në kuadër të përballjes me situatën e zjarreve në vend, Shqipëria ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian. Si përgjigje ndaj kësaj kërkese, Italia ka dërguar dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë aktualisht në zonën e “Liqenit të Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës, ku vatrat e zjarrit rrezikojnë një nga zonat me biodiversitet të lartë.

Gjithashtu, Greqia i është bashkuar operacionit duke angazhuar dy avionë të po të njëjtit tip për ndërhyrje në zonën e Dukatit në Vlorë, një tjetër pikë e nxehtë ku zjarret po përparojnë në territore pyjore dhe pranë zonave të banuara.

Forcat operacionale të Mbrojtjes Civile mbeten ende të angazhuara në disa qarqe të vendit, ndërsa situata vlerësohet dinamike dhe me potencial për përshkallëzim, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.

ME TE LEXUARAT