Ish-efektivi i Forcave të Armatosura u vra me kallashnikov nga shoku i fëmijërisë, zv. drejtori i Hetimit: Kishin konflikt prej kohësh
Korça është tronditur pasditen e sotme nga një ngjarje e rëndë, ku 20-vjeçari Johan Zuko, ish-efektiv i Forcave të Armatosura, u vra me armë zjarri.
Zv.drejtori i Hetimit të Krimeve, Drejtues Sejfulla Metko, bëri të ditura detajet e para të hetimit, duke konfirmuar se mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte një konflikt të hershëm. Sipas tij, dy të rinjtë njiheshin prej fëmijërisë dhe kishin qenë shokë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në lagjen nr. 15 të Korçës. Sipas Policisë, konflikti kishte nisur më herët mes dy grupeve personash dhe më pas situata është përshkallëzuar pranë banesës së viktimës, ku është përdorur arma e zjarrit.
“Konflikti ka qenë i bartur prej disa kohësh më parë, ka qenë në ndjekje nga ana jonë dhe sot ka precipituar në ngjarjen kriminale”, deklaroi Metko.
Sipas tij, 20-vjeçari është qëlluar me kallashnikov. Në dorën e viktimës është gjetur gjithashtu një thikë, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor si provë materiale.
Pas krimit, autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja. Policia ka marrë dëshmi nga persona që pretendohet se e kanë parë atë duke u larguar në drejtim të varrezave, ndërsa forcat e rendit janë vënë në ndjekje për kapjen e tij.
Deri në këto momente, Policia ka identifikuar një person të dyshuar për vrasjen, ndërsa tre persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konflikt janë shoqëruar në Komisariat për t’iu nënshtruar veprimeve procedurale.
Rreth orës 16:30, në lagjen 15 në qytetin e Korçës, kemi marrë një njoftim për një ngjarje kriminale të ndodhur. Konflikti ka qenë midis dy grupe personash, kurse si rezultat ngjarja ka agravuar me një viktimë, i cili është shtetasi me inicialet J. Z. Kemi një person të dyshuar,kemi vënë forcat në ndjekje, në një moment të dytë do të kemi një informacion më të saktë në lidhje me autorët…
Konflikti ka ndodhur rreth orës 16:00, ka ndodhur në një lagje në afërsi ku është vendi i ngjarjes, më pas ka precipituar në afërsi të banesës së viktimës. Dhe ku kemi pasur përdorimin e armës së zjarrit. Më pas autori është ngjitur në rreth 15 min është parë nga dëshmitarë okularë që ka shkuar në drejtim të varrezave, jemi në ndjekje të tij dhe më pas do japim një informacion më të saktë për autorësinë e saktë të tij.
Viktima është vrarë me kallashnikov. Gjithashtu viktima ka pasur në dorë një armë të ftohtë, armë thikë. Autori ka përdorur kallashnikov. Konflikti ka qenë i bartur prej disa kohësh më parë, ka qenë në ndjekje nga ana jonë dhe sot ka precipituar në ngjarjen kriminale”, ka deklaruar ai.