Infermierja shqiptare në Itali shpërthen në lot në protestë: Pacientët detyrohen të kërkojnë kurim jashtë vendit

Një infermiere shqiptare, e cila prej 30 vitesh jeton dhe ushtron profesionin në Itali, mori pjesë sot në protestën e 68-të kundër kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar në Tiranë.
Gjatë fjalës së saj, ajo nuk i mbajti dot lotët teksa rrëfeu për shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit për të marrë trajtim mjekësor. Sipas saj, këta pacientë përballen me pengesa të shumta, veçanërisht për shkak të mungesës së shërbimeve të nevojshme shëndetësore në Shqipëri.
Infermierja tha se në Itali sheh çdo ditë pacientë nga Shqipëria, të cilët nuk kanë mundësi të trajtohen në vendin e tyre dhe nisen drejt shtetit italian, shpesh pa ditur as gjuhën. Ajo shprehu dhimbjen për situatën e tyre dhe ngriti pyetjen se përse nuk duhet të kurohen në Shqipëri.
Ajo pohoi se gjatë viteve ka dëgjuar shumë qytetarë shqiptarë të flasin me pakënaqësi për gjendjen e spitaleve në vend, çka i ka bërë të kërkojnë trajtim përtej kufijve.
Infermierja tregoi se, pas eksperiencave të këqija në spitalet shqiptare, shumë prej tyre zgjedhin të largohen jashtë vendit pasi kanë frikë se mund të humbin jetën në Shqipëri.
Mesazhi i saj ishte që qytetarët shqiptarë të kenë në vendin e tyre një shërbim shëndetësor cilësor dhe të mos detyrohen të udhëtojnë jashtë Shqipërisë për t’u kuruar.


