I nxehti ekstrem, temperaturat deri në 43°C! Ja kur merr fund vala përvëluese

Aktualitet

I nxehti ekstrem, temperaturat deri në 43°C! Ja kur merr fund vala

Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor do të vijojë edhe në ditët e para të javës, duke sjellë temperatura ekstremisht të larta që në disa zona pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.

Sipas parashikimeve meteorologjike, e hëna do të shënojë temperatura maksimale prej 40-41°C, ndërsa të martën termometri mund të ngjitet në 41-42°C, me vlera lokale që mund të prekin edhe 43°C. Edhe e mërkura do të mbetet nën ndikimin e të nxehtit intensiv.

Megjithatë, nga e enjtja, më 23 korrik, sinoptikanët parashikojnë një ndryshim të situatës atmosferike.

Depërtimi i masave më të freskëta të ajrit pritet të sjellë ulje të temperaturave, ndërsa në disa zona të Ballkanit jugperëndimor mund të ketë reshje shiu dhe stuhi të izoluara.

Evropa po përjeton një nga verat më të nxehta të viteve të fundit. Temperaturat rekord kanë goditur veçanërisht vendet e rajonit, ndërsa që nga muaji qershor raportohet se mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën në kontinent si pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit.

ME TE LEXUARAT