I ndërtuar nga “Gjoka Konstruksion”, plasaritet dhe çahet struktura e betonit në tunelin e Murrizit! Kompania: Mund të mbyllet...

Tuneli i Murrizit, një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në Rrugën e Arbrit që lidh Qarkun e Dibrës me Tiranën, ka qenë sërish në qendër të vëmendjes për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tij.
Së fundmi, në afërsi të mesit të tunelit janë konstatuar dëmtime në anën lindore, kryesisht plasaritje dhe çarje të betoneve.
Lidhur me këtë problematikë, përfaqësues të kompanisë ndërtuese “Gjoka Konstruksion” kanë deklaruar për News24 se dëmtimet kanë ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen në tunelin e emergjencës.
Sipas tyre, distanca mes tunelit kryesor dhe atij të emergjencës është rreth 28–30 metra dhe ndërhyrjet teknike kanë ndikuar në lëvizjen e harkut të tunelit kryesor.
Megjithatë, kompania pretendon se këto dëmtime nuk paraqesin rrezik për sigurinë e qarkullimit dhe nuk cenojnë qëndrueshmërinë e veprës. “Tuneli monitorohet vazhdimisht me aparatura të specializuara dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues për përkeqësim apo dëmtime të mëtejshme”, bëjnë me dije përfaqësuesit e saj.


