Gjyqtari: Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale për moszbatimin e vendimit për pagat

Aktualitet

Gjyqtari: Rama nuk përjashtohet nga përgjegjësia penale për

Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve dhe gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, deklaroi në emisionin “Kjo Javë” se Prokuroria e Beratit ka regjistruar një procedim penal mbi kallëzimin e punonjësve të administratës gjyqësore dhe po kryen hetime ndaj punonjësve të degës së Thesarit për moszbatimin e vendimit mbi pagat.

Pëllumbi hodhi poshtë pretendimet e ekzekutivit, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese uljen e pagave të gjyqtarëve dhe vendimet e saj kanë fuqi ligjore e janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm.

Gjatë intervistës, Pëllumbi u ndal te qëndrimet e Kryeministrit dhe pasojat ligjore:

“Gjykata Kushtetuese nuk e hap derën e thesarit në mënyrë të paligjshme. Ajo thjesht ka shpallur antikushtetues uljen e pagave të gjyqtarëve. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm.”

Lidhur me përgjegjësinë e zyrtarëve të lartë dhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, ai u shpreh:

“Kur një zyrtar i lartë pranon publikisht se ka qenë pjesë e vendimmarrjes për të mos ekzekutuar një vendim gjykate, ai e përfshin veten direkt në sferën e përgjegjësisë penale. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet as Kryeministri.”

Lidhur me hetimet në Berat, Pëllumbi konfirmoi:

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka regjistruar tashmë një procedim penal mbi bazën e kallëzimit që kanë bërë punonjësit e administratës së Gjykatës. Organi i akuzës është duke kryer të gjitha veprimet përkatëse hetimore për të nxjerrë përgjegjësitë e degës së Thesarit në atë qytet.”

Gjyqtari sqaroi se veprat penale të referuara në kallëzim përfshijnë “Shpërdorimin e detyrës” (që parashikon dënim deri në 7 vite burg) dhe “Pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” (gjobë ose deri në 2 vjet burg). Ai shtoi se nuk do të ketë bojkot total të sistemit të drejtësisë, por punët do të reduktohen duke u fokusuar te çështjet urgjente, si masat e sigurisë dhe personat e paraburgosur.

ME TE LEXUARAT