GJKKO gjobit 10 avokatë me shumën e majme, reagon Haxhia: Të detyruar të zbatojnë vendimin, ndryshe...

Pas hyrjes në fuqi të rregullores së re, GJKKO ka nisur të vendosë gjoba ndaj avokatëve që po bojkotojnë seancat gjyqësore.
Gjatë procesit gjyqësor për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, trupa gjykuese ka gjobitur me nga 50 mijë lekë të rinj më shumë se 10 avokatë të të pandehurve.
Në lidhje me vendimin e gjykatës, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Maks Haxhia tha se avokatët ushtrojnë profesionin në bazë të një ligji të miratuar nga Parlamenti dhe se vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
“U vura në dijeni në lidhje me gjobat e aplikuara nga GJKKO dhe nuk dua të etiketoj dhe të them fjalë, por një gjë po them: avokatët kanë një ligj të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës, në bazë të të cilit ushtrojnë profesionin”, u shpreh Haxhia.
Ai theksoi se në rast të shkeljes së vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm ndaj avokatëve mund të merren masa, ndërsa shtoi se, në rastin konkret, gjobat e vendosura nga GJKKO nuk do të duhej të ishin marrë.
“Alternativat janë: vokatët të mos respektojnë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe, t’u hiqet licensa apo të merren masa administrative, që është gjoba në proces, e cila nuk do duhej të merrej”,- tha Haxhia.
Haxhia bëri me dije se avokatët e gjobitur do të ankimojnë vendimet.
“Ndërkohë që të gjithë avokatët që janë gjobitur, në respekt të tyre, do të bëjnë ankim”, deklaroi ai.


