G7 i shpall “luftë ekonomike” Rusisë, sanksione të reja godasin naftën dhe gazin

Aktualitet

G7 i shpall “luftë ekonomike” Rusisë, sanksione të

Shtetet e G7-ës duan ta rrisin edhe më tej presionin ndaj Rusisë. G7-ta ra dakord për ndihma të mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe disa krerë shtetesh njoftuan edhe sanksione të reja kundër Rusisë.

Prej takimit të grupit G7në Évian të Francës doli një sinjal mjaft i fuqishëm: shtetet e G7-ës duan të rrisin ndjeshëm së bashku presionin ndaj Rusisë. Shtetet e G7-ës ranë dakord në samitin e tyre për sanksione të reja kundër sektorit energjetik rus.

Me këtë synohet të rritet presioni ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Masat ndëshkuese të miratuara nga krerët e shteteve dhe të qeverive të grupit G7 prekin kryesisht naftën dhe gazin rus.

Shtetet e G7-ës ranë dakord edhe për ndihma të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, ndër të tjera për të forcuar mbrojtjen ajrore.

I ftuari i samitit, Volodymyr Zelenski tha: “Patëm një takim vërtet të fortë”.

Trump thirrje Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i bëri thirrje Rusisë që të arrijë një marrëveshje me Kievin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump pranoi se muajt e fundit kishte qenë “i fokusuar te Irani”. Po tani Irani kalon në plan të dytë, tha presidenti amerikan, dhe ai do të merret sërish me Ukrainën.

Trump deklaroi se SHBA-ja do të të rivendosë “së shpejti” sanksionet ndaj eksporteve të naftës ruse. Pak muaj më parë SHBA-ja i kishte lehtësuar sanksionet ndaj naftës ruse në kuadër të luftës me Iranin.

Sanksionet britanike dhe kanadeze

Edhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaruan se do të vendosin sanksione të reja kundër kompanive të industrisë së mbrojtjes, rrjeteve financiare dhe sektorit energjetik të Rusisë.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se “Në bashkëpunim me aleatët tanë të G7-ës do ta rrisim më tej presionin ndaj Vladimir Putinit dhe rrethit të tij të bashkëpunëtorëve”. Sipas tij Britania e Madhe ka planifikuar 70 masa të reja sanksionesh. Ato do të prekin ndër të tjera edhe 20 cisterna të tjera të së ashtuquajturës flotë “hije” e Rusisë.

Edhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se në listën e sanksioneve të vendit të tij do të shtohen edhe 162 vetë, kompani dhe anije. /DW

ME TE LEXUARAT