Fundjavë përvëluese në Shqipëri! Sinoptikania zbulon kur temperaturat do të arrijnë kulmin

Fundjava pritet të jetë përvëluese në vendin tonë, siç paralajmëroi sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Eneida Doçi, gjatë një lidhjeje direkte në një studio televizive.
“Gjatë kësaj fundjave do të kemi depërtimin e masave ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore nga anticikloni i Azoreve, por edhe masave ajrore me origjinë nga veriu i Afrikës, çka do të sjellë mot të nxehtë në të gjithë territorin për pjesën më të madhe të ditës.
Moti do të vijojë të jetë i kthjellët, ndërsa do të ketë vranësira të pakta kalimtare përgjatë zonave malore gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Gjithashtu, pritet një rritje e ndjeshme e temperaturave, si në vlerat minimale, ashtu edhe në ato maksimale.
Temperaturat më të larta do të regjistrohen në zonat e ulëta, qendrore dhe bregdetare, ku vlerat minimale do të jenë rreth 26 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 39 gradë Celsius gjatë orëve të mesditës.
Gjatë javës së ardhshme do të kemi një rritje të mëtejshme të temperaturave, ku vlerat minimale do të shënojnë rreth 27 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor jugperëndim-verilindje dhe me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa valëzimi në det do të jetë i ulët, me forcë 1-2 ballë.
Do të mbizotërojë moti i kthjellët në të gjithë territorin, por nuk do të mungojnë vranësira mesatare, lokalisht të dendura, të cilat në relievet malore do të shoqërohen me rrebeshe afatshkurtra shiu dhe stuhi”, u shpreh sinoptikania Doçi.


