Encrochat rrëzon bandën shqiptare - Dënohen trafikantët e 832 kg kokainë në Britani

Aktualitet

Encrochat rrëzon bandën shqiptare - Dënohen trafikantët e

Një rrjet kriminal i udhëhequr nga shqiptari Redon Bushi, 32 vjeç, është goditur rëndë nga autoritetet britanike, pas një hetimi të gjatë të realizuar në bashkëpunim mes Policisë Metropolitane dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA). Banda trafikonte sasi të mëdha kokainë në Londër dhe në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur platforma të koduara si Encrochat dhe Signal për të fshehur aktivitetin.


Bushi, i cili jetonte në Brentford, u shpall fajtor për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Ai kishte vënë në funksion disa biznese – lavazh makinash, bar dhe klinikë bukurie – që dyshohet se shërbenin si mbulesë për aktivitetin kriminal. U dënua më 24 vjet e 10 muaj burg në Gjykatën e Kurorës Kingston-upon-Thames më 9 korrik.


Hetimet zbuluan se rrjeti i tij kishte trafikuar 832 kg kokainë, me një vlerë tregu prej mbi 81 milionë paundësh. Mesazhet e dërguara në Encrochat, ku Bushi përdorte pseudonimin “Sealvermouth”, zbuluan mënyrën e funksionimit të bandës, nga kodet postare te oraret e dorëzimit të drogës.


Gjatë aksioneve policore u sekuestruan:
• 700 mijë paund në para cash
• 72 kg kokainë në një “shtëpi të sigurt” në Brentford
• Disa kilogramë të tjerë në adresa të ndryshme
• Kamera sigurie, dokumente false dhe furgonë me ndarje të fshehura


Anëtarët e tjerë të dënuar përfshijnë:
• Arline Sida, 23 vjeç – 12 vjet e 9 muaj burg
• Kelvin Hoxha, 23 vjeç – 11 vjet e 8 muaj burg
• Luke Ferguson, 32 vjeç – 14 vjet e 5 muaj burg
• Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç – 2 vjet e 3 muaj burg


Pas arrestimeve të para në vitin 2020, Bushi tentoi të fshihej në disa hotele duke komunikuar me grupin përmes telefonave të rinj, por u gjurmua dhe arrestua në Reading.


Sipas policisë, ky operacion është një shembull i goditjes së grupeve kriminale me bazë shqiptare që veprojnë në territorin britanik, duke përdorur teknologjinë si mjet sigurie, por që përfundimisht shërben si provë për rrëzimin e tyre.

ME TE LEXUARAT