EMRI/ Tragjedia në Shkodër, nëna 24-vjeçare dhe dy fëmijët e mitur ishin kthyer nga Gjermania për pushime

Thellohet tragjedia e ndodhur në Postribë të Shkodrës ditën e sotme (29 korrik 2026). Pas fëmijës së parë të familjes, gjenden të pajetë nën rrënojat e djegura të banesës edhe nëna me fëmijën tjetër.
Viktimat janë Bleona Çelaj, 24-vjeçe, kurse fëmijët janë 1 dhe 4-vjeç.
Mësohet se nëna me dy fëmijët e saj sapo ishin kthyer nga Gjermania, ndërsa grupi hetimor po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e ngjarjes tragjike.
Për shkak të zonës së thellë, zjarrfikësja ka shkuar me vonesë. Banesa ndodhet gjysmë ore larg në këmbë nga rruga kryesore.
Hetimet po ndiqen në pistat e një ngjarjeje dhe zjarri aksidental, por pa përjashtuar edhe pista të tjera.
Nëna dhe dy fëmijët e saj kishin udhëtuar për në fshatin Domen të Postribës, ku kishin banesën e vjetër të familjes.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.
Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.
Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


