Zjarri te “Kamelia”, kompleksi turistik në plazhin e Golemit: Gjashtë persona përfundojnë në spital nga asfiksia

DURRËS - Një apartament në katin e 9-të të pallatit shumëkatësh "Kamelia", u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme.
Paraprakisht dyshohet se shkak i flakëve të ketë qenë një defekt në kabinën elektrike, e cila ka bërë masë.
Gjashtë persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit.
Fatmirësisht ata janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa zjarri është shuar tashmë nga forcat zjarrfikëse.
Njoftimi i Policisë:
Durrës / Informacion paraprak-Rreth orës 20:30, në katin e 9-të të një pallati, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ka rënë zjarr në një apartament në pronësi të shtetasit E. Sh.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të MZSH-së.
Zjarri është shuar dhe situata është vënë nën kontroll.
Sipas të dhënave paraprake, 6 shtetas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.


