Dosja SASPAC/ Kërkoi lirinë kundrejt garancisë pasurore, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke e lënë në qeli dhe rrëzuar ankimin e tij në kuadër të dosjes SASPAC.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila miratoi vendimin nr. 362, datë 25 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Beqaj. kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurire në shumën 2 milionë lekë ose një shumë tjetër që gjykata do ta vlerësonte të përshtatshme, duke përdorur si argument edhe vendimin e unifikuar u Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës për arrestin me burg.
Apeli i GJKKO vendosi të miratojë vendimin e Shkallës së Parë, duke e lënë në fuqi masën aktuale të sigurisë.
Ish-ministri Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK për abuzime me fondet e Agjencisw Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC)
Sipas SPAK, Beqaj, në kohën kur drejtonte SASPAC-un, dyshohet se ka favorizuar kryerjen e prokurimeve fiktive për projektet e EUSAIR gjatë viteve 2022-2023. Prokuroria pretendon se tenderët realizoheshin vetëm në dokumente dhe fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.
Ndaj ish-ministrit rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”.


