Atentati me 9 plumba ndaj Thimjo Rubatit, autorët dyshohet se u larguan me skaf! Djali i 50-vjeçari plagosi policin dy ditë më parë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin ndaj Thimjo Rubatit, i njohur edhe si Sandri, i cili u plagos mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës.
Fillimisht ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Sarandës, ndërsa më pas është transportuar për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të maskuar me skafandra, të cilët pas atentatit janë larguar me motor në drejtim të zonës së plazheve, në zonën e “Baba Rexhepit”.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se autorët mund të jenë larguar më pas me skaf, ndërsa dyshohet se kanë marrë me vete edhe motorin e përdorur gjatë atentatit.
Mësohet se 50-vjeçari, edhe pse ka qenë në gjendje të vetëdijshme pas atentatit, nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan.
Gjatë natës, forcat e policisë kanë zhvilluar kontrolle intensive në përpjekje për gjetjen e motorit të përdorur nga autorët dhe sigurimin e provave të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Megjithëse një natë para atentatit, në të njëjtin vend, djali i të plagosurit, 27-vjeçari Andrea Rubati, së bashku me dy shokët e tij Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, dhunuan dhe kanosën me thikë oficerin e policisë Mihal Velço, grupi hetimor e ka përjashtuar këtë pistë nga hetimi.
Nuk përjashtohet mundësia që autorët e sulmit të kenë shfrytëzuar këtë ngjarje për të devijuar hetimet. Aktualisht, policia po verifikon disa pista hetimore, mes të cilave larjen e hesapeve dhe konflikte të mundshme për çështje pronësie, të lidhura edhe me dyshime për falsifikim dokumentesh.
Thimjo Rubati rezulton se ka dalë gjatë dy viteve të fundit nga një burg në Greqi, ku ishte arrestuar për vrasjeje.
Në vitin 2018 ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet burg për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabandë me mallrat e tjerë”, lidhur me një skemë të kontrabandës së automjeteve ku ishin përfshirë edhe doganierë.
Precedentët penalë të tij datojnë që nga fillimi i viteve 2000, kur është arrestuar në Sarandë së bashku me disa persona të tjerë për trafik klandestinësh.
Po në fillim të viteve 2000, Rubati është arrestuar edhe me armë në automjet, pas një denoncimi se një gjimnaziste ishte rrëmbyer nga 50-vjeçari dhe një person tjetër nga Saranda.
Pas këtyre ngjarjeve, Thimjo Rubati është përfshirë gjithashtu në trafikimin dhe kontrabandimin e mjeteve të vjedhura nga Greqia drejt Shqipërisë, duke rezultuar edhe në këtë fushë me precedentë penalë.
Edhe djali i tij, Andrea Rubati, rezulton person me precedentë penalë. Ai është arrestuar në qershor të vitit 2022, pasi është kapur duke drejtuar një automjet që rezultonte i vjedhur në Itali.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të atentatit.


