Aksidentet e shumta në Lushnjë-Rrogozhinë, mungesa e mbikalimeve dhe shitësit ambulantë shtojnë rrezikun

Aktualitet

Aksidentet e shumta në Lushnjë-Rrogozhinë, mungesa e mbikalimeve

Autostrada Lushnjë-Rrogozhinë është një nga akset rrugore me numrin më të lartë të aksidenteve, ku përveç përplasjeve dhe daljeve nga rruga, problem mbeten edhe këmbësorët, të cilët kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin duke rrezikuar jetën çdo ditë.

Problem janë gjithashtu edhe shitësit ambulantë dhe fermerët, të cilët kanë ngritur tezga ngjitur me rrugën, duke u kthyer në një burim rreziku për aksidente.

Megjithatë, rreziku më i madh shpeshherë janë këmbësorët përgjatë fshatrave ku kalon kjo autostradë, pasi në disa raste banorët tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të drejtuesve të automjeteve.

Siç shihet edhe nga pamjet, ky fenomen vijon çdo ditë në këtë segment rrugor. Të pyetur se përse zgjedhin të kalojnë rrugën duke rrezikuar jetën, banorët shprehen se pranë zonave të tyre nuk ka mbikalime apo nënkalime dhe për këtë arsye zgjedhin rrugën më të shkurtër.

Megjithatë, edhe në rastet kur ka mbikalime, disa banorë zgjedhin sërish të kalojnë në rrugë, siç ishte rasti i një 75-vjeçareje, e cila u aksidentua 5 ditë më parë.

ME TE LEXUARAT