Detaje nga arrestimi i të shumëkërkuarit Ylli Zalla/ Policia del me njoftimin zyrtar: Arsenal armësh, drogë dhe uniforma policie

Aktualitet

Detaje nga arrestimi i të shumëkërkuarit Ylli Zalla/ Policia del

Pas disa muajsh në kërkim dhe disa operacioneve të dështuara për kapjen e tij, Policia ka finalizuar operacionin “Fundi i Arratisë”, duke arrestuar në Krujë 49-vjeçarin Ylli Zalla. Ai u lokalizua në një zonë të pyllëzuar, ndërsa në momentin e kapjes iu gjet një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Zalla kishte mundur t’u shpëtonte disa herë forcave të Policisë gjatë operacioneve të zhvilluara për kapjen e tij. Emri i tij ishte rikthyer në vëmendje pas kontrolleve të përsëritura në banesë dhe në zonat përreth, ku gjatë muajve të fundit janë sekuestruar armë zjarri, lëndë plasëse, municion luftarak, lëndë narkotike, uniforma policie dhe pajisje të tjera.

Njoftimi: 

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë Policisë.

Në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.

Më datë 14 nëntor 2025, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.

Më datë 20 shkurt, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Gjithashtu, më datë 23 qershor, në vijim të operacioneve për kapjen e tij, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.

Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

 

ME TE LEXUARAT