BE rrit taksat për duhanin, Shqipëria “mbyll sytë” para reklamave të ndaluara

Bashkimi Evropian po përgatit masa të reja për të goditur konsumin e produkteve të duhanit dhe për të rritur të ardhurat e buxhetit. Cigaret tradicionale, purot, cigaret elektronike dhe duhani i ngrohur do të përballen me një skemë të re taksimi.
Sipas Komisionit Evropian, çmimi i një pakete cigaresh do të rritet mesatarisht me 20%, ndërsa produktet e reja do të taksohen për herë të parë me norma specifike. Rritja e akcizës synon të frenojë përdorimin masiv të këtyre produkteve, sidomos te të rinjtë dhe grupet vulnerabël.
Ndërkohë në Shqipëri mbizotëron një heshtje e plotë institucionale. Edhe pse ligji shqiptar ndalon qartazi çdo formë reklame, promovimi apo sponsorizimi për produktet e duhanit, në realitet cigaret elektronike dhe produktet e ngjashme janë të pranishme kudo.
Reklama të markave si iQOS shfaqen hapur në rrugët e Tiranës, në portale, në rrjetet sociale dhe në media tradicionale, pa asnjë kufizim apo ndëshkim ligjor.
Institucionet nuk kanë reaguar as gjatë Ditës Botërore Kundër Duhanit. Asnjë fushatë, asnjë mesazh zyrtar, asnjë përpjekje për të kufizuar reklamimin e një industrie që ligjërisht është jashtë kontrollit.
Madje, shumë media shqiptare jo vetëm i transmetojnë këto reklama, por përfitojnë edhe direkt nga kontratat e kompanive që i shpërndajnë. Kjo ndodh përmes marrëveshjeve të fshehta që shpesh lidhen me fonde shtetërore, tenderë apo interesa të drejtpërdrejta në pushtet.
Në këtë klimë të heshtur dhe të nënshtruar, produktet e duhanit po i serviren brezit të ri pa asnjë pengesë, ndërsa autoritetet bëjnë sikur nuk shohin. Problemi nuk është mungesa e ligjit, ligji ekziston dhe është i qartë.
Problemi është mungesa e vullnetit për ta zbatuar. Heshtja e institucioneve në këtë rast është bashkëfajësi direkte me një industri që pasurohet duke helmuar shoqërinë. Dhe për aq kohë sa kjo heshtje vazhdon, do të jenë qytetarët ata që do të paguajnë çmimin më të lartë.


