“Babi e mbajti për dore mamin kur u vra” – Dëshmia rrëqethëse e fëmijëve për vrasjen e Liridona Ademajt

Dëshmia e vëllait të Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka hedhur dritë mbi detaje të reja dhe tronditëse për natën e 29 nëntorit 2023, kur ajo u vra brenda makinës së saj në prani të dy fëmijëve të mitur. Në sallën e gjyqit, ai përshkroi me emocion të thellë mënyrën si familja përjetoi krimin, reagimin e dyshimtë të bashkëshortit Naim Murseli dhe fjalët rrëqethëse të fëmijëve, të cilat konfirmojnë përfshirjen e babait të tyre në vrasje.
Sipas Leonardit, pasi fëmijët u dërguan në Suedi pas ngjarjes, ai kërkoi me ngulm të takohej me ta. Djalit të vogël, një prej dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të vrasjes, iu atribuuan këto fjalë: “Hajni e ka futur dorën dhe ja ka ba mamit bam.”
Por ajo që tronditi më shumë ishte fakti se fëmijët treguan se Naimi, në momentin e ekzekutimit, e mbante Liridonën për dore – duke i hequr asaj çdo mundësi për të reaguar apo shpëtuar.
Vëllai i viktimës tha se që nga largimi në Suedi, fëmijët nuk kanë kërkuar më të kenë kontakt me babanë e tyre. “Ata kanë refuzuar çdo telefonatë të mundësuar nga punonjësit socialë. Në një foto ku ishin së bashku me të ëmën dhe Naimin, fëmijët e shkyen me gërshërë fytyrën e tij,” – dëshmoi ai, duke treguar se ata e konsiderojnë atë të papranueshëm.
Leonardi kujtoi edhe momentet menjëherë pas vrasjes, kur tentoi të kontaktonte Naimin dhe shkoi ta takonte në një hotel luksoz. “Kur hymë në dhomë, ai ishte shtrirë, kishte porositur drekën, kishte ushqime në tavolinë. Nuk po e përjetonte si njeri që kishte humbur gruan,” – tha ai.
Më pas, Leonardit i është mohuar fillimisht mundësia për të parë trupin e së motrës, por pas ndërhyrjes së tij direkte me stafin e spitalit, ka shkuar në morg. “Naimi erdhi deri te dera, por nuk hyri brenda. Thoshte se kishte probleme me zemrën.”
Ai përmendi gjithashtu sjelljen e Murselit gjatë vizitës në vendin e krimit, ku dëshmia e tij për mënyrën e ndodhjes së vrasjes ndryshonte në çdo moment: “Fillimisht tha që doli nga dera e djathtë e makinës, pastaj u tërhoq dhe tha ‘nuk e di a prej të djathtës apo të majtës’.” Ky pasiguri, sipas tij, tregonte qartë se po mundohej të manipulonte të vërtetën.
Leonardi përshkroi si Naimi dhe i afërmi i tij, Kushtrimi, gjatë ceremonisë mortore, nuk shfaqën asnjë shenjë dhimbjeje apo tronditjeje. “Qëndronin të ftohtë, nuk rrinin pranë familjes, nuk u interesuan për asgjë përveçse për të ruajtur një lloj imazhi para mediave,” – tha ai.
Një tjetër moment kyç në dëshminë e tij ishte zhvarrosja e Liridonës. Fillimisht Policia kishte kërkuar vendim gjykate, por pas daljes së tij në media dhe reagimit publik, procedura u lehtësua. Trupi i saj u zhvarros dhe u rivarros në fshatin Rracaj, ku familja hapi të pamen dhe priti ngushëllime nga qytetarë të shumtë.
Hetimet treguan gjithashtu se arma e përdorur u gjet në banesën e Granit Plavës. Ndërsa Kokalla, i afërmi i Naimit, është akuzuar për pjesëmarrje në planifikimin e krimit dhe për moslajmërim të tij, pasi Murseli ia kishte rrëfyer gjithçka pas vrasjes.
Kjo ngjarje mbetet një nga më të rëndat dhe më të diskutuarat në Kosovë e Shqipëri, jo vetëm për egërsinë e saj, por për shkak të përfshirjes së një bashkëshorti dhe babai që, në vend të dashurisë dhe mbrojtjes, zgjodhi ta tradhtonte familjen e tij në mënyrën më mizore të mundshme.


