9 vite burg shqiptarit në Gjermani, tentoi të vri'ste mësuesen sepse i ofendoi profetin Muhamed

Një 18-vjeçar shqiptar është dënuar me burg në Gjermani, i akuzuar për dy raste të tentativës së vrasjes.
Sipas mediave gjermane, i riu me origjinë nga Kosova, ishte radikalizuar përmes internetit dhe kishte zhvilluar qëndrime islamiste. Ai kishte sulmuar fillimisht një kujdestar shkolle, ndërsa më pas kishte plagosur me thikë mësuesen e tij në një shkollë profesionale në Essen.
Mësuesja kishte pësuar plagë në kraharor, të cilat i kishin rrezikuar jetën. Më pas, i riu ishte nisur drejt Sinagogës së Vjetër në Essen, me synimin për të sulmuar persona hebrenj. Pasi e kishte gjetur objektin të mbyllur, ai kishte sulmuar një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë.
Policia e kishte ndaluar më vonë në një park, pasi ai kishte nxjerrë thikën. Gjatë ndërhyrjes, një pjesëtar i policisë e kishte qëlluar me armë, duke e plagosur rëndë.
18-vjeçari i ka pranuar veprat. Sipas tij, sulmi ndaj mësueses ishte nxitur nga pretendimi se ajo kishte fyer profetin Muhamed.


