U shfaq i veshur me geta sportive në festivalin e çiklizmit, guvernatorin e gjen belaja!

Soft

U shfaq i veshur me geta sportive në festivalin e çiklizmit,

Guvernatori i provincës Ardahan, Mehmet Fatih Çiçekli, është shkarkuar nga detyra me një vendim të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 18 korrik 2026. Vendimi vjen pas debateve të forta që shpërthyen në Turqi për disa pamje të Çiçeklit gjatë një festivali çiklizmi, ku ai shfaqej i veshur me geta sportive.

Në vend të tij është emëruar Ömer Hilmi Yamlı, i cili deri më tani mbante detyrën e nënprefektit të Şehitkamilit, në provincën Gaziantep. Çështja e veshjes së guvernatorit ishte kthyer në temë debati publik dhe kishte mbërritur edhe në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë.

Deputeti i CHP-së për Karsin, İnan Akgün Alp, kishte shfaqur nga foltorja e Parlamentit fotografinë e Çiçeklit dhe e kishte kritikuar ashpër mënyrën e paraqitjes së tij në publik. Një guvernator nuk mund të shëtisë mes qytetarëve i veshur në këtë mënyrë. Ministria e Brendshme duhet ose t’i shkarkojë këta guvernatorë, ose t’u dërgojë gjethe fiku, deklaroi deputeti opozitar.

Pas fjalimit në Parlament, Alp publikoi edhe një video në rrjetet sociale me titullin Guvernatorët e TikTok-ut, duke i akuzuar disa zyrtarë se përdorin aktivitetet publike për të tërhequr vëmendje dhe ndërveprime në internet.

Kritikat e deputetit të CHP-së shkaktuan reagime nga ligjvënësit e partisë në pushtet AKP dhe nga deputetët e MHP-së, duke sjellë tensione dhe përplasje verbale në sallën e Parlamentit. Drejtuesi i seancës u detyrua t’u kërkonte deputetëve të ruanin qetësinë, ndërsa Çiçekli iu përgjigj kritikave duke shpërndarë në rrjetet sociale mesazhet mbështetëse që kishte marrë.

Edhe pse vendimi zyrtar nuk jep një arsyetim të drejtpërdrejtë për shkarkimin, ai u publikua pak ditë pas debatit të madh politik dhe publik për veshjen e guvernatorit gjatë aktivitetit të çiklizmit.

 

ME TE LEXUARAT