Pamja më e detajuar e Diellit ndonjëherë! Teleskopi zbulon vorbulla të padukshme më parë në sipërfaqen diellore (FOTO)

Soft

Pamja më e detajuar e Diellit ndonjëherë! Teleskopi zbulon

Shkencëtarët kanë arritur të fotografojnë sipërfaqen e Diellit me një qartësi të jashtëzakonshme, duke zbuluar për herë të parë struktura dhe lëvizje magnetike që deri më tani nuk ishin parë.

Pamjet e reja janë realizuar nga teleskopi diellor më i fuqishëm në botë dhe tregojnë “vorbulla” gjigante aktiviteti në sipërfaqen e yllit tonë. Sipas studiuesve, këto lëvizje lidhen drejtpërdrejt me fushën magnetike të Diellit, e cila përdridhet dhe zhvendoset nga rrjedhat e gazrave të nxehtë.

Këto procese krijojnë shpërthime të mëdha energjie, duke shkaktuar atë që shkencëtarët e quajnë moti hapësinor. Fenomeni mund të ketë pasoja edhe për Tokën, duke ndikuar në rrjetet elektrike, satelitët e komunikimit dhe sigurinë e astronautëve në hapësirë.

Pamja më e detajuar e Diellit ndonjëherë! Teleskopi zbulon

“Dielli është burimi i kësaj energjie dhe i gjithë motit hapësinor”, tha Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i SHBA-së.

Sipas tij, vëzhgimet me një nivel kaq të lartë detaji do t’u mundësojnë shkencëtarëve të kuptojnë më mirë mekanizmat e brendshëm të Diellit dhe të përmirësojnë parashikimin e stuhive diellore.

“Për të kuptuar dhe një ditë për të parashikuar motin hapësinor, duhet të zbulojmë fizikën e Diellit deri në shkallët më të vogla”, u shpreh ai.

Zbulimi, i publikuar në revistën prestigjioze Nature, u bë i mundur falë teleskopit Inouye Solar Telescope, i ndërtuar në një zonë malore të Hawait, ku atmosfera e pastër krijon kushte ideale për vëzhgimin e Diellit.

Duke zmadhuar sipërfaqen diellore, studiuesit arritën të dallojnë vorbulla të fuqishme që krijohen nga lëvizja e gazrave.

Astronomi i Observatorit Kombëtar Diellor, Dr. David Kuridze, shpjegoi se këto lëvizje përdredhëse mund të krijojnë energji magnetike, e cila më pas grumbullohet dhe çlirohet në formën e shpërthimeve të mëdha.

Pamja më e detajuar e Diellit ndonjëherë! Teleskopi zbulon

Fenomeni njihet si paqëndrueshmëria Kelvin-Helmholtz. Ai ndodh kur dy shtresa fluidesh lëvizin pranë njëra-tjetrës dhe krijojnë çrregullime që shndërrohen në vorbulla spirale.

Në Tokë, ky proces shihet edhe në oqeane, ku lëvizjet e vogla të ujit mund të zhvillohen në valë të fuqishme.

Pse është i rëndësishëm ky zbulim?

Shkencëtarët thonë se ky fenomen ndihmon në shpjegimin jo vetëm të motit hapësinor, por edhe të temperaturave ekstreme në sipërfaqen e Diellit.

Dr. Friedrich Woeger nga Observatori Kombëtar Diellor shpjegoi se procesi tregon mënyrën se si energjia transportohet drejt shtresave të sipërme të Diellit.

“Kur në shtresat e larta grumbullohet mjaftueshëm energji, ajo mund të çlirohet në formën e një shpërthimi diellor ose të një nxjerrjeje të masës koronale”, tha ai.

Sipas studiuesve, kuptimi i këtyre proceseve është thelbësor për të mbrojtur teknologjinë moderne nga efektet e stuhive diellore.

Pamja më e detajuar e Diellit ndonjëherë! Teleskopi zbulon

Por përtej ndikimit praktik, shkencëtarët theksojnë se Dielli mbetet një “laborator unik” për të studiuar ligjet themelore të fizikës.

“Është ylli ynë më i afërt dhe na ndihmon të kuptojmë disa nga ligjet më themelore të universit”, tha Boboltz.

Ai kujtoi se edhe prova e parë eksperimentale e teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit u sigurua përmes vëzhgimeve gjatë një eklipsi diellor.

“Për dijen njerëzore, ne kemi nevojë për eksperimente të tilla”, përfundoi ai.

ME TE LEXUARAT