Bletët, jetike për ekosistemin! Si mund t’i mbrojmë dhe disa fakte interesante për to

Soft

Bletët, jetike për ekosistemin! Si mund t’i mbrojmë dhe

Bletët janë ndër krijesat më të jashtëzakonshme në natyrë dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekosistem. Në fakt, ato janë thelbësore për jetën në Tokë.

Fatkeqësisht, bletët po përballen me rreziqe të shumta. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të njohim mënyrat se si mund t’i mbrojmë dhe t’i ndihmojmë në rolin e tyre të rëndësishëm në natyrë.

Pse kemi nevojë për bletët?

Pa bletët, njerëzit, por edhe shumica e gjallesave në planet, do ta kishin shumë të vështirë të mbijetonin.

Së pari, bletët polenizojnë të mbjellat, duke bërë të mundur prodhimin e një pjese të madhe të ushqimit që konsumojmë. Edhe pse ekzistojnë mënyra të tjera polenizimi, përmes kafshëve të tjera apo erës, bletët e egra e transportojnë polenin nga një bimë te tjetra në një shkallë shumë më të madhe dhe në mënyrë më efikase.

Përveç kësaj, bletët ndihmojnë në sigurimin e ushqimit për kafshët e fermave, pasi polenizojnë shumicën e bimëve me të cilat ushqehen kafshët që na sigurojnë vezë, produkte bulmeti dhe mish.

Pa bletët dhe mijëra lloje të tjera insektesh, ekosistemi ynë do të pësonte pasoja të rënda. Bletët polenizojnë pemët dhe lulet që mbështesin insekte të tjera, të cilat më pas shërbejnë si ushqim ose strehë për zogjtë, lakuriqët e natës dhe gjitarët, duke ndihmuar në ruajtjen e zinxhirit ushqimor.

Nga se rrezikohen bletët?

Bletët rrezikohen kryesisht nga humbja e habitateve të tyre. Zonat ku ato jetojnë po pakësohen, pasi mijëra pyje, pemë dhe madje edhe kopshte shkatërrohen për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të zonave të banuara.

Gjithashtu, zhvillimi i metodave të bujqësisë intensive ka çuar në humbjen e një pjese të madhe të livadheve me lule të egra gjatë shekullit të fundit. Përdorimi në shkallë të gjerë i pesticideve dhe herbicideve në bimët që kanë mbetur bën që gjithnjë e më shumë bletë të helmohen ose të humbasin burimet e tyre të ushqimit.

Edhe fenomenet ekstreme të motit dhe ndryshimi i pazakontë i stinëve, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, ndikojnë te bletët, ushqimi i tyre dhe foletë ku ato jetojnë.

Mbjellja e më shumë pemëve mund të ndihmojë në zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike, të cilat megjithatë mbeten një kërcënim i rëndësishëm për bletët.

A mund t’i ndihmojmë bletët?

Ka shumë mënyra për të ndihmuar popullatat e bletëve të zhvillohen.

Së pari, është e rëndësishme të shmangim përdorimin e insekticideve në kopshtet tona. Disa insekte shërbejnë si ushqim për pjalmuesit, zogjtë dhe kafshë të tjera. Për këtë arsye, është e rëndësishme të lejojmë natyrën të kontrollojë vetë popullatat e tyre.

Mund të mbjellim gjithashtu në kopshte dhe oborre lule të pasura me nektar, të cilat tërheqin bletët. Nëse keni një kopsht ose ballkon, mund t’i kushtoni një pjesë të tij këtyre bimëve.

Bletët kanë nevojë për lule që çelin nga pranvera deri në vjeshtë, kur temperaturat variojnë nga 10 deri në 38 gradë Celsius.

Veçanërisht të përshtatshme janë lulet e verdha, blu dhe të kuqe, idealisht me një shtresë të vetme petalesh, pasi këto kanë më shumë polen dhe nektar.

Megjithatë, përpara se t’i mbillni, sigurohuni që të kontrolloni cilat bimë janë të sigurta për macen ose qenin tuaj.

Disa nga bimët që nuk janë toksike për kafshët shtëpiake dhe që tërheqin bletët janë kalendula, trëndafili, nenexhiku, sherebela, trumza dhe rozmarina.

Nëse keni qen ose mace, duhet të shmangni bimë si kumakët, krokusi, rododendroni, livanda dhe dafina, pasi mund të jenë toksike për kafshët shtëpiake.

Disa fakte interesante për bletët

Mund të dallojnë fytyrat e njerëzve

Bletët janë në gjendje ta bëjnë këtë duke përdorur sytë për të njohur modele të ndryshme, si forma dhe tiparet e fytyrës.

Kjo aftësi është studiuar gjerësisht në kërkime shkencore, ku bletët janë trajnuar të lidhin fytyra të caktuara me një shpërblim, në këtë rast një tretësirë me sheqer.

Komunikojnë përmes “vallëzimit”

Kur zbulojnë një burim të mirë ushqimi, bletët kryejnë një lloj “vallëzimi” për t’u treguar bletëve të tjera vendndodhjen e ushqimit dhe distancën që duhet të përshkojnë për të arritur atje.

Mund të fluturojnë me shpejtësi deri në 24 km/orë

Bletët janë jashtëzakonisht të shpejta për përmasat e tyre. Ato mund të arrijnë shpejtësi deri në 24 kilometra në orë, duke u mundësuar të gjejnë shpejt burimet e ushqimit dhe të kthehen më pas në koshere.

Në një koloni mund të jetojnë deri në 60 mijë bletë

Kolonitë e bletëve mund të jenë shumë të mëdha. Disa prej tyre mund të përmbajnë deri në 60 mijë bletë, të cilat bashkëpunojnë për mirëmbajtjen e kosheres, mbledhjen e ushqimit dhe kujdesin për të vegjlit.

Kanë pesë sy

Bletët kanë dy sy të mëdhenj dhe tre sy më të vegjël.

Dy sytë e mëdhenj përbëhen nga mijëra lente të veçanta, të cilat u mundësojnë të shohin njëkohësisht në drejtime të ndryshme. Sytë më të vegjël ndihmojnë në dallimin e ndryshimeve mes dritës dhe errësirës dhe në orientimin e tyre.

Mund të komunikojnë edhe përmes feromoneve

Përveç “vallëzimit”, bletët përdorin edhe feromonet për të komunikuar me njëra-tjetrën.

Këto sinjale kimike paralajmërojnë bletët e tjera për rreziqet, shënojnë burimet e ushqimit dhe ndihmojnë në rregullimin e sjelljes së kolonisë.

Mund të shohin dritën ultravjollcë

Bletët mund të shohin dritën ultravjollcë, të cilën njerëzit nuk janë në gjendje ta dallojnë. Kjo u mundëson të shohin modele në lulet që i ndihmojnë të gjejnë nektarin dhe polenin.

Janë të vetmet insekte që prodhojnë ushqim për njerëzit

Bletët janë insektet e vetme që prodhojnë ushqim për njerëzit. Përveç mjaltit, ato prodhojnë edhe dyllin e bletës, qumështin e bletës dhe propolisin, produkte që kanë përdorime të ndryshme në mjekësi dhe në industrinë e kozmetikës.

 

ME TE LEXUARAT