A duhet ta lajmë fytyrën çdo mëngjes? Përgjigja mund t’ju habisë

Nëse ka një hap që shumica prej nesh e konsiderojnë të padiskutueshëm në rutinën e kujdesit të lëkurës, ai është pastrimi i fytyrës. Shumë njerëz e lajnë fytyrën në mëngjes dhe në mbrëmje pa e vënë në dyshim këtë zakon.
Por, a është vërtet e nevojshme ta pastrojmë fytyrën çdo mëngjes?
Edhe Hailey Bieber ka treguar se shpesh e anashkalon pastrimin e fytyrës në mëngjes, një zgjedhje që ka hapur diskutime në botën e bukurisë. Dhe, sado e pazakontë të duket, kjo praktikë mund të ketë një shpjegim.
Gjatë gjumit, lëkura prodhon vajra natyralë që ndihmojnë në ruajtjen e hidratimit dhe në mbrojtjen e barrierës së saj natyrore.
Nëse keni lëkurë të thatë ose të ndjeshme, një pastrim i mëngjesit me produkte të forta mund të largojë këto vajra mbrojtës dhe të shkaktojë tharje ose irritim.
Në këto raste, mund të jetë i mjaftueshëm shpëlarja me ujë të vakët ose përdorimi i një toniku të butë.
Situata ndryshon për personat me lëkurë të yndyrshme ose me prirje për akne.
Në këtë rast, pastrimi i mëngjesit mund të jetë i dobishëm për të larguar yndyrën, djersën dhe mbetjet e produkteve të aplikuara një natë më parë.
Pas pastrimit, lëkura është gjithashtu më e përgatitur për hapat e tjerë të rutinës së kujdesit dhe për aplikimin e make-up-it.


