Shqipëria ndër më të shtrenjtat në rajon për të ngrënë një vakt jashtë

Aktualitet

-640-0-bafc23b9abffb1c4075f9a1cc36abc3a.jpg

Të hash në një restorant me çmime të ulëta në Shqipëri kushton mesatarisht 10.10 dollarë, një nivel më i lartë se në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, por më i ulët se në Mal të Zi. Në renditjen e 98 vendeve dhe territoreve sipas kostos së një vakti në një restorant të lirë, Shqipëria pozicionohet në vendin e 43-të dhe rezulton gjithashtu mbi mesataren globale prej 9.35 dollarësh.

Mes vendeve të rajonit të paraqitura në të dhënat e Numbeo vetëm Mali i Zi është më i shtrenjtë se Shqipëria, me një vakt mesatar prej 11.68 dollarësh dhe vendin e 35-të në renditje. Serbia ndodhet shumë pranë Shqipërisë, me 9.96 dollarë, vetëm 14 cent më pak, ndërsa diferenca zgjerohet ndjeshëm me Maqedoninë e Veriut, ku një vakt kushton 7.60 dollarë, dhe me Kosovën, ku çmimi zbret në 5.84 dollarë. Kjo do të thotë se një vakt i kësaj kategorie në Shqipëri kushton rreth 2.50 dollarë më shumë se në Maqedoninë e Veriut dhe 4.26 dollarë më shumë se në Kosovë.

Të dhënat e Numbeo krahasojnë çmimin e një vakti në atë që në secilin vend konsiderohet një restorant me kosto të ulët. Pra, nuk bëhet fjalë për të njëjtën pjatë të shitur në 98 vende të ndryshme. Çmimet raportohen nga përdoruesit dhe konvertohen në dollarë amerikanë me kursin e tregut, pa u korrigjuar sipas fuqisë blerëse.

Në rang global, hendeku është shumë i madh. Zvicra është vendi më i shtrenjtë në renditje, ku një vakt në një restorant të lirë kushton mesatarisht 31.20 dollarë, ndërsa në Bangladesh vetëm 1.63 dollarë. Diferenca është rreth 19 herë.

Pas Zvicrës renditet Norvegjia, me 23.60 dollarë, ndërsa vendet nordike dhe ato të Beneluksit dominojnë pjesën e sipërme të tabelës. Në Danimarkë një vakt kushton 23.43 dollarë, në Belgjikë dhe Holandë 23.36 dollarë, ndërsa në Irlandë 23.35 dollarë.

Në total, 17 nga 20 vendet më të shtrenjta janë europiane. Përjashtimet janë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia. SHBA renditet e nënta, me një çmim mesatar prej 20 dollarësh, dhe është i vetmi vend jashtë Europës në dhjetëshen e parë.

Megjithatë, Evropa ka diferenca të forta brenda saj. Ndërsa Zvicra kryeson me 31.20 dollarë, Kosova me 5.84 dollarë ndodhet në skajin tjetër të kontinentit. Për krahasim, Hungaria rezulton në 12.88 dollarë dhe Bullgaria në 11.94 dollarë.

Një tjetër rezultat që bie në sy është Japonia. Ajo renditet në vendin e 69-të nga 98, me një kosto prej vetëm 6.29 dollarësh për një vakt në një restorant të lirë. Japonia është vendi më i lirë i G7 për këtë tregues dhe i vetmi anëtar i grupit që ndodhet nën median globale.

Për krahasim, në Francë dhe Gjermani një vakt kushton pothuajse tre herë më shumë. Çmimi relativisht i ulët në Japoni nuk lidhet me mungesën e një industrie të zhvilluar të restoranteve; vendi renditet i treti në botë për numrin e restoranteve me yje Michelin, pas Francës dhe Italisë.

Vendet me çmimet më të ulëta gjenden kryesisht në Azi dhe Afrikë. Pas Bangladeshit me 1.63 dollarë, renditen Indonezia me 1.70 dollarë dhe Bolivia me 1.73 dollarë. Në Nigeri një vakt kushton 1.85 dollarë, në Nepal 1.96 dollarë, në Indi 2.09 dollarë, në Pakistan 2.16 dollarë, ndërsa në Kinë 2.98 dollarë.

Nga 20 vendet më të lira në renditje, 11 janë në Azi dhe pesë në Afrikë. Gjashtë nga dhjetë vendet më të populluara të botës ndodhen gjithashtu mes 20 vendeve ku një vakt në restorant kushton më pak. /ekofin.al

ME TE LEXUARAT