Vdes pas një operacioni estetik influencuesja braziliane, 40-vjeçarja pëson arrest kardiak në sallën e operacionit

Një ngjarje tragjike ka tronditur Brazilin dhe komunitetin online pas vdekjes së influencueses së njohur Natália Cavanellas, e cila humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale kozmetike në São Paulo. Ajo ishte vetëm 40 vjeç.
Sipas raportimit të CNN Brasil, Cavanellas pësoi një arrest kardiorespirator gjatë procedurës, megjithëse ndërhyrja ishte planifikuar dhe realizuar në një klinikë me kushte të rregullta spitalore.
Fatkeqësisht, përpjekjet për ta mbajtur në jetë rezultuan të pasuksesshme. Vdekja është regjistruar si “e papritur”, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e autopsisë për të konfirmuar shkakun e saktë. Hetimet janë ende në proces nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Cavanellas ishte një figurë mjaft e ndjekur në rrjetet sociale, ku njihej si një nënë, grua dhe sipërmarrëse e suksesshme. Llogaria e saj private në Instagram kishte mbi 105 mijë ndjekës, ndërsa faqja tjetër e saj profesionale, e dedikuar për rrjetëzim dhe strategji biznesi, numëronte rreth 30 mijë ndjekës të tjerë. Ajo drejtonte një komunitet virtual me qindra gra profesioniste, duke u shndërruar në një figurë frymëzuese për shumë ndjekëse.
Lajmin e hidhur për vdekjen e saj e dha bashkëshorti, Rafael Thomazella, përmes një postimi prekës në Instagram, ku shkruante:
“Të gjithë e dinë çfarë gruaje e jashtëzakonshme ishte Natalia. E bukur, e pavarur, profesioniste, e dashur. Do t’i tregoj gjithmonë Manoellës se sa e jashtëzakonshme ishte nëna e saj, një grua që të gjithë e donin dhe e admironin.”
Mjeku që kreu ndërhyrjen, Edgar Lopez, përmes një deklarate publike sqaroi se procedura ishte zhvilluar sipas të gjitha protokolleve mjekësore dhe se Cavanellas pësoi një ndërlikim të rrallë, të dyshuar si emboli pulmonare – një rrezik potencial edhe nëse merren të gjitha masat parandaluese.
Rasti i saj ka hapur sërish diskutimin mbi rreziqet e ndërhyrjeve estetike, sado “rutinë” të duken, dhe nevojën për vetëdije më të lartë mbi ndërlikimet që mund të pasojnë edhe në duart e profesionistëve.


