Romanca me Mirlind Dakun mori fund? Vesa Vllasaliu zbulon detaje dhe trazon rrjetin

Prej muajsh, emri i modeles Vesa Vllasaliu është përfolur gjerësisht për një lidhje të mundshme me futbollistin e kombëtares së Kosovës, Mirlind Daku. Edhe pse asnjëherë nuk ka pasur një konfirmim zyrtar, ndjekësit në rrjete sociale kanë ndjekur me vëmendje çdo postim të çiftit të supozuar, duke zbërthyer detaje të përbashkëta që nxisnin dyshimet për një romancë mes tyre.
Së fundmi, Vesa ka vendosur të reagojë — jo drejtpërdrejt, por përmes një përgjigjeje në Instagram. Gjatë një sesioni “pyetje-përgjigje”, një ndjekës i shkruan:
“Kur po ia qet partnerit fytyrën, edhe pse e dimë kush është? Të lezetshëm dukeni, ju kam parë.”
Modelja nuk e mohoi dhe as e pohoi lidhjen, por tha:
“Haha, pse me ia qit? E ka profilin e vet, faleminderit.”
Kjo përgjigje ka ngritur më shumë pikëpyetje sesa ka sqaruar. Nga njëra anë, ajo la të kuptohet se ekziston një partner, por nuk e përmendi me emër, duke i lënë rrjetet të ziejnë nga spekulimet. Nga ana tjetër, mungesa e një reagimi apo konfirmimi nga vetë Daku, shton më tej misterin mbi këtë marrëdhënie.
Disa muaj më parë, ishte vetë Vesa ajo që ndezi zërat, duke publikuar një video nga stadiumi ku etiketonte Dakun, një postim që u komentua gjerësisht si “dalja publike” e lidhjes. Megjithatë, më pas gjithçka u shua, duke çuar në spekulime për një ndarje.
Tani, me këtë deklaratë të re, duket se Vesa po sinjalizon që raporti mes tyre nuk ka përfunduar, por thjesht mbahet larg syve të publikut. Deri në një reagim të qartë, romanca e përfolur mbetet mes rreshtave — e paqartë, por jo e mohuar.


