Protesta në Prishtinë: “Lironi çlirimtarët”/ Qytetarët vazhdojnë kundërshtimin e vendimit të Hagës

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë edhe të dielën nën moton “Jo në emrin tim”.
Edhe në natën e 12-të të protestës ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë nga 16 shtatori, pas aktgjykimit në Hagë.
Gjatë ditës më herët u organizua protestë e grupeve të tifozëve.
Të gjitha më pas u bashkuan në sheshin “Skënderbeu”, duke lënë përkohësisht rivalitetet sportive.
Nuk munguan thirrjet në mbështetje të UÇK-së dhe flamuj e pankarta me mbishkrimet “UÇK nderohet kur Shqipëria bashkohet”.
Protesta e mbrëmjes përfundoi me një minutë heshtje, të cilën organizatorët e lidhën me atë që e quajtën “drejtësia e dështuar”.
Ndërkohë, më 27 shtator pati protestë edhe në Gjakovë, të thirrur nga grupi “Kuqezinjtë e Jakovës”. Aty ra në sy pjesëmarrja e Ferdonije Qerkezi, simbol i pritjes, që humbi katër djem dhe burrin në luftë.
Në mbështetje të çlirimtarëve dolën edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin Skënderbeu në Shkup në një tubim që nisi rreth orës 14 dhe përfundoi pas 60 minutash. (PAMJET E SHKUPIT)
Edhe atje u tha se vendimi për ish krerët e uçk nuk u dha në emrin e tyre.
Marshime të ngjashme janë mbajtur edhe në Gjermani, Zvicër, Norvegji, Austri dhe SHBA.


