“Si Kosova me Beogradin”/ Banorët e Klosit me tona të ashpra ndaj qeverisë: Kundërshtojmë bashkimin me Burrelin

Bashkia Klos nis dëgjesat për territorialen. Banorët e Xibrit kundërshtojnë bashkimin me Matin: largohen shërbimet
Bashkia e Klosit ka nisur turin e dëgjesave publike me banorët duke prezantuar draftin e mazhorancës për reformën e re administrative-territoriale që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me atë të Matit.
Banorët e Njësisë Administrative Xibër kundërshtuan bashkimin me Matin me argumentin se largohen shërbimet.
“Kryetari i qeverisë na premtoj shumë gjëra. Ne duhet të mobilizohemi e të qëndrojmë fort. Rama po shkon në rënie dhe në rënie po shkon vetëm me këto që bën. Nuk mban më ujë pilafi. Ne në Klos mbarojmë punë shumë më shpejt, kemi njerëzit tanë.
Klosi me Burresli do jetë si Kosova me Beogradin dhe ne atje nuk ka për të na e parë asnjë surratin. Në bashkinë e Klosit, zyrtarët janë më komunikues. Aty kemi oksigjenin. Popullin e ka rënuar. Ramës dua ti them e ke çuar vendin në greminë”, tha një banor.
Ata u shprehën se për të marrë një shërbim në Burrel, banorët e fshatit të Ketës apo fshatrave të tjerë do të kenë kosto më të lartë ekonomike dhe do të herxhojnë më shumë kohë.
Të tjerë banorë deklaruan se me hapjen e rrugës së Arbrit Bashkia Klos ka potencial të madh të zhvillimit ekonomik, ndaj duhet të vazhdojë të jetë më vete njësi e qeverisjes vendore.
Dëgjesat publike do të zhvillohen në të katër njësitë Administrative të Bashkisë Klos dhe në fund Bashkia do të mbajë një qëndrim zyrtar në lidhje me propozimin për reformën territoriale.


