Erion Braçe "ngre zërin" brenda mbledhjes në Kuvend, mësohet kërkesa e deputetit…

Me debate dhe tone të larta është shoqëruar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste këtë të enjte, pak para nisjes së seancës plenare.
Deputetët socialistë janë mbledhur për të diskutuar rendin e ditës dhe zhvillimet e fundit politike, por takimi është shoqëruar edhe me diskutime lidhur me paraqitjen e përfaqësuesve të drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, dy ditë më parë.
Sipas burimeve të Euronews brenda mbledhjes, deputeti Erion Braçe ka ngritur zërin dhe u ka kërkuar kolegëve që grupi parlamentar të mbajë një qëndrim lidhur me sjelljen e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë seancës dëgjimore në Kuvend.
“Duhet të dalim me një qëndrim se gjyqtarët në Kuvend nuk kishin respekt”, mësohet të ketë deklaruar Braçe gjatë diskutimit.
Në fokus ka qenë seanca e zhvilluar dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, ku përfaqësues të sistemit të drejtësisë ishin thirrur për të diskutuar mbi një projektligj.
Komisioni i Ligjeve ishte hallka e fundit parlamentare për shqyrtimin e projektligjit, përpara kalimit të tij për votim në seancë plenare.
Sipas burimeve, diskutimi në mbledhjen e grupit socialist është përqendruar te mënyra e paraqitjes së përfaqësuesve të drejtësisë përballë deputetëve, ndërsa Braçe ka insistuar që kjo çështje të marrë një qëndrim nga shumica parlamentare.


