Përplasja për telefonat në gjyq, GJKKO i përgjigjet prerë Avokatisë: Rregulli vlen për të gjithë!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i është përgjigjur Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë lidhur me kërkesën për rishikimin e nenit 76 të Rregullores së Brendshme, që parashikon ndalimin e mbajtjes së telefonave celularë në sallat e gjykimit.
Në shkresën zyrtare, GJKKO sqaron se ndalimi i telefonave celularë është një masë që lidhet me ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore. Sipas gjykatës, kjo masë zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë personat që marrin pjesë në proces, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, avokatët, palët, median dhe publikun.
GJKKO thekson se rregulli nuk përbën një kufizim të posaçëm ndaj avokatëve apo ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes. Sipas saj, avokatët vijojnë të kenë mundësi të përdorin kompjuterin portativ në sallën e gjykimit për nevojat procedurale.
Sa i përket komunikimit me klientët që ndodhen në paraburgim, gjykata sqaron se komunikimi garantohet në ambiente konfidenciale. Ndërkohë, në rastet kur paraqitet nevoja për një komunikim urgjent gjatë seancës, dalja nga salla mund të autorizohet nga kryesuesi i seancës.
GJKKO rikujton gjithashtu se Rregullorja e Brendshme ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2026 dhe përcakton rregulla që zbatohen njësoj për të gjithë subjektet që marrin pjesë në proceset gjyqësore. Përmes kësaj përgjigjeje, GJKKO mban në fuqi qëndrimin se ndalimi i telefonave në sallat e gjykimit është një rregull i përgjithshëm i rendit dhe sigurisë dhe nuk synon të kufizojë rolin apo të drejtat procedurale të avokatëve.


