Pas dy vitesh debatesh, aeroporti i Milanos merr emrin e Silvio Berlusconit

Bota

s-berlusconi.png

Pas më shumë se dy vitesh debatesh dhe përplasjesh ligjore, aeroporti i dytë më i ngarkuar i Italisë për pasagjerë është emërtuar zyrtarisht të premten me emrin e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Në ceremoninë e zhvilluar në aeroport u zbulua një pllakë argjendi me emrin e Berlusconit. Në aktivitet morën pjesë zëvendëskryeministri Matteo Salvini dhe familjarë të ish-kryeministrit.

Berlusconi, biznesmen i medias dhe kryeministër i Italisë në disa mandate, dominoi politikën italiane për rreth tre dekada. Ai mbetet një figurë e debatueshme, i vlerësuar nga mbështetësit si një lider karizmatik që e vendosi Italinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa kritikët e kanë akuzuar për populizëm dhe përdorim të pushtetit për interesa personale.

berlusconi.png

Gjatë karrierës së tij, Berlusconi u përball me disa procese dhe hetime penale, shumica e të cilave përfunduan pa dënime. I vetmi dënim që mbeti në fuqi lidhej me një çështje mashtrimi fiskal për shitjen e të drejtave të filmave në perandorinë e tij mediatike. Për këtë rast, ai kreu shërbim komunitar.

Vendimi për t’i vendosur emrin e Berlusconit aeroportit shkaktoi kundërshtime që në vitin 2024. Bashkia e Milanos dhe tre qytete pranë aeroportit në rajonin e Lombardisë iu drejtuan gjykatës për ta kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se emërtimi i vendeve publike duhet të bëhet nga autoritetet vendore dhe se ligji italian kufizon ngritjen e monumenteve për persona të vdekur përpara se të kenë kaluar 10 vite nga vdekja e tyre.

Silvio Berlusconi lindi dhe u rrit në Milano, ku ndërtoi perandorinë e tij mediatike dhe zotëroi klubin e futbollit AC Milan. Ai ndërroi jetë në Milano në vitin 2023, në moshën 86-vjeçare.

ME TE LEXUARAT