Arrestohen më në fund serbët e akuzuar për masakrën e Reçakut

Pesë persona, të cilët dyshohet se si pjesëtarë të formacioneve policore serbe morën pjesë në masakrën e Reçakut, janë arrestuar të dielën në kuadër të një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, të koduar “Reçaku II”.
Katër prej të arrestuarve janë ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tashmë në pension, ndërsa njëri dyshohet se ishte mobilizuar në formacionet policore serbe gjatë luftës në Kosovë.
Detajet për operacionin e përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës i kanë bërë të ditura në një konferencë për media prokurori special Ilir Morina dhe drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, major Bashkim Spahiu.
Prokurori Morina bëri të ditur se të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesëtarë të njësive të posaçme të Policisë së Serbisë, të cilat morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak.
Morina tha se hetimet për këtë rast kanë vazhduar edhe pas ngritjes së aktakuzës së parë për masakrën e Reçakut, në dhjetor të vitit të kaluar.
“Hetimet nuk kanë përfunduar me atë aktakuzë. Kemi vazhduar me mbledhjen e dëshmive të rëndësishme që kanë të bëjnë si me kryesit e veprave penale, ashtu edhe me organizatorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi”, deklaroi Morina.
Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të fundit janë identifikuar disa persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e njësive policore serbe të përfshira në operacionin e Reçakut.
Pas sigurimit të provave dhe krijimit të dyshimit të bazuar, Prokuroria Speciale i është drejtuar Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lëshimin e urdhërarresteve dhe urdhërkontrolleve.
“Këta persona janë të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha Morina, duke shtuar se arrestimet janë realizuar në orët e hershme të mëngjesit.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, major Bashkim Spahiu, bëri të ditur se më 3 qershor 2026 hetuesit kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj gjashtë personave të dyshuar.
Urdhërkontrolli, sipas tij, është pranuar më 11 qershor dhe ka përfshirë kontrollin e të dyshuarve, shtëpive të tyre, objekteve përcjellëse, si dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme brenda perimetrit të banimit.
Operacioni ka filluar të dielën në orën 06:00, me përfshirjen e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Njësisë Speciale Operative, njësive K9, Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike dhe hetuesve për krime të rënda dhe krim të organizuar.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S. Katër prej tyre janë ish-pjesëtarë të pensionuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa njëri dyshohet se ishte mobilizuar në formacionet policore serbe në kohën e kryerjes së veprës penale.
Spahiu ka bërë të ditur se njëri prej të dyshuarve është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdar, rreth orës 02:47 të mëngjesit.
Ai ka bërë të ditur se policia ka kryer bastisje edhe në fshatin Berevcë të Shtërpcës, ku është kërkuar i dyshuari i gjashtë, por ai nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar.
Spahiu ka thënë se gjatë operacionit, Policia ka konfiskuar një numër të konsiderueshëm provash, të cilat konsiderohen relevante për hetimin.
Në mesin e tyre janë një armë, pjesë të uniformave ushtarake dhe policore, një emblemë e Policisë së Serbisë, pranga, shufër policore, sinjalizues për ndalimin e automjeteve dhe 43 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Spahiu ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë konfiskuar gjithashtu një maskë për mbrojtje nga mjetet kimike, çantë ushtarake dhe dokumente që dëshmojnë angazhimin e të dyshuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës, dy videokaseta, tri palë targa automjetesh, katër telefona mobilë dhe një aparat fotografik.
Ai po ashtu ka njoftuar se policia ka sekuestruar edhe 30 mijë e 585 euro, 438 mijë e 190 dinarë serbë, me vlerë rreth 3 mijë e 745 euro, si dhe pesë dollarë amerikanë.
I pyetur për reagimet e përfaqësuesve politikë serbë ndaj operacionit, prokurori Morina deklaroi se proceset gjyqësore nuk mund të vlerësohen përmes deklarimeve politike.
“Drejtësia nuk zhvillohet dhe qytetarët nuk mbrohen përmes deklarimeve politike. Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje me të cilën do ta thellonin bashkëpunimin në çështjen e krimeve të luftës”, tha ai.
Morina theksoi se në tri raste të fundit për krime lufte, gjykatat në Kosovë kanë liruar tre të pandehur për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Sipas tij, kjo dëshmon se sistemi i drejtësisë në Kosovë funksionon në mënyrë të pavarur dhe se vendimet merren në bazë të provave të paraqitura gjatë procedurës gjyqësore.


