Nga Prishtina në Zvicër/ Thirrja për çlirimtarët merr jehonë të re

Kosovë&Rajon

Nga Prishtina në Zvicër/ Thirrja për çlirimtarët merr

Pas protestave të mbajtura në Kosovë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thirrja për drejtësi dhe liri për çlirimtarët pritet të dëgjohet edhe nga diaspora.

Të shtunën, më 19 shtator, shqiptarët në sheshin Helvetiaplatz në Zvicër do të mblidhen në një protestë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas vendimit të Hagës.

Protesta është paralajmëruar të mbahet nga ora 15:00 deri në 17:00, ndërsa pritet që në të të marrin pjesë qytetarë shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Tubimi vjen në një kohë kur në Kosovë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, pas shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për shumë prej pjesëmarrësve në protestat e zhvilluara në Kosovë, vendimi i Gjykatës Speciale ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për luftën e UÇK-së, sakrificën e luftëtarëve dhe mënyrën se si është trajtuar kjo periudhë nga drejtësia ndërkombëtare.

Tash, i njëjti mobilizim pritet të shtrihet edhe në diasporë.

Zvicra të shtunën do të jetë një tjetër pikë ku shqiptarët do të kërkojnë drejtësi për çlirimtarët, duke e çuar përtej kufijve të Kosovës mesazhin që është përcjellë ditëve të fundit nga sheshet e Prishtinës.

Protesta do të mbahet në Zvicër nga ora 15:00 deri në 17:00.

Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së u shpall të mërkurën në Hagë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Vendimi shkaktoi reagime të shumta në Kosovë, duke nxitur revoltë dhe protesta në qytete të ndryshme të vendit. Protestuesit e konsiderojnë të papranueshëm një vendim të tillë dhe kërkojnë nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë.

Për ta, bëhet fjalë për njerëzit që, sipas tyre, u rreshtuan në luftën për çlirimin e Kosovës dhe sot po përballen me dënime të rënda në Hagë. Mes thirrjeve për drejtësi dhe liri, protestuesit kërkojnë që institucionet të mos heshtin dhe të bëjnë gjithçka që është në kompetencën e tyre për mbrojtjen e çlirimtarëve.

ME TE LEXUARAT