Mediat serbe shpërthejnë ndaj Dua Lipës, Rita Orës dhe Granit Xhakës pas mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së

Futbollisti Granit Xhaka dhe këngëtaret Dua Lipa e Rita Ora kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përcjellë mesazhe solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përmes postimeve të tyre, tre prej figurave më të njohura shqiptare në botë kanë përdorur simbolikën e UÇK-së dhe sloganin “Liria ka një emër”, duke reaguar pas vendimit ndaj ish-drejtuesve të saj.
Granit Xhaka publikoi një fotografi në mbështetje të ish-krerëve të UÇKsë, të shoqëruar me mesazhin: “Ata luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut të tyre. Liria ka një emër”.

Edhe Dua Lipa dhe Rita Ora kanë ndarë mesazhe që lidhen me UÇK-në. Lipa publikoi simbolikën e UÇK-së dhe mesazhin “Liria ka emër”, ndërsa Ora shpërndau një imazh me emblemën e UÇK-së dhe mesazhin: “Luftojmë për Kosovën, të cilën sot e quajmë shtëpi.”

Reagimet e tyre nuk kanë kaluar pa u komentuar nga mediat serbe, të cilat u kanë dhënë hapësirë deklaratave të futbollistit dhe dy këngëtareve.
Megjithatë, krahas pasqyrimeve të këtyre deklaratave, mediat serbe janë mundur sërish që të baltosin figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vend që të ndalen vetëm te mesazhet e Xhakës, Dua Lipës dhe Rita Orës, ato i kanë shoqëruar raportimet me etiketime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke i paraqitur ata si “kriminelë”.
Në këtë mënyrë, reagimet e tre emrave të njohur shqiptarë janë kthyer në një tjetër pikë debati në mediat serbe.


