Bashkëshorti pagoi 30 mijë euro për ekzekutimin e saj, vijon sot seanca për vrasjen e Liridona Ademajt

Kosovë&Rajon

Bashkëshorti pagoi 30 mijë euro për ekzekutimin e saj, vijon sot

Sot, më 14 korrik 2025, në orën 09:00, në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të zhvillohet një tjetër seancë gjyqësore lidhur me vrasjen brutale të Liridona Ademajt, një krim që ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri.

Ngjarja makabre ndodhi në fund të vitit të kaluar, kur Liridona, nënë e dy fëmijëve, u vra me armë zjarri. Për këtë akt kriminal akuzohet bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Murseli kishte rekrutuar dy persona për të kryer ekzekutimin, ndërkohë që tentoi ta paraqiste ngjarjen si një grabitje të zakonshme që përfundoi në mënyrë tragjike. Hetimet zbuluan shpejt prapaskenat e errëta të këtij krimi të planifikuar me kujdes.

Juristja Flutura Kusari, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, njoftoi se sot pritet të dëshmojë vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, nëse nuk do të ketë ndryshime të papritura në agjendën e seancës.

Rasti ka ngjallur zemërim të gjerë dhe kërkesë për drejtësi, ndërsa shërben si një tjetër alarm për dhunën ndaj grave dhe dështimin e sistemit për t’i mbrojtur ato në kohë.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me interes të madh publik, teksa familjarët e Liridonës dhe shoqëria civile kërkojnë dënime shembullore për të gjithë të përfshirët.

ME TE LEXUARAT