“Albin Kurti do të jetë i vdekur” , Organizata terroriste serbe kërcënon me jetë kryeministrin

Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” ka publikuar një mesazh kërcënues ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke paralajmëruar eliminimin e tij fizik.
Në mesazhin e shpërndarë nga kjo organizatë thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
“Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në lidhje me incidente dhe kërcënime me prapavijë ekstremiste në veri të Kosovës, ndërsa mesazhi i fundit shihet si një përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet e sigurisë lidhur me këtë kërcënim.
Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste “Severna Brigada” në qershor të vitit 2023.
Së bashku me të, organizatë terroriste u shpall edhe “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”).
Në atë kohë, Kurti deklaroi se këto grupe përbëjnë “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”./Insajderi


