Zjarre apokaliptike në Kroaci, edhe Greqia në situatë të vështirë, pushuesit largohen në panik

Bota

Zjarre apokaliptike në Kroaci, edhe Greqia në situatë të

Flakët kanë pushtuar sërish brigjet e Adriatikut dhe Egjeut, duke kthyer disa prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në zona emergjence.

Në Kroaci, situata është përkeqësuar. Në Zadar, një zjarr i fuqishëm shpërtheu të premten, duke mbuluar qiellin me shtellunga të dendura tymi. Pamjet e tregojnë automjetet e emergjencës ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të frenojnë përhapjen e flakëve.

Por goditja më e rëndë në Kroaci është regjistruar në Omiš, ku zjarri i favorizua nga erërat e forta përfshiu pyje dhe zona të banuara. Një person humbi jetën, rreth 40 të tjerë u plagosën dhe rreth 1 mijë e 200 banorë e turistë u detyruan të braktisin banesat. Flakët përfshinë më shumë se një mijë hektarë, ndërsa dhjetëra banesa dhe objekte u dëmtuan.

Përballë përhapjes së shpejtë të flakëve, qindra zjarrfikës dhe mjete të emergjencës u angazhuan në terren. Situata në Omiš u përmirësua gjatë mëngjesit, duke lejuar zhvendosjen e një pjese të forcave drejt vatrave të tjera në Kroaci.

Alarmi është ngritur edhe në Greqi. Në Siviri, në gadishullin e Halkidikisë, flakët iu afruan zonave turistike dhe banesave, duke detyruar qindra persona të largohen me varka. Mbi 140 zjarrfikës, avionë dhe helikopterë u angazhuan në luftën me zjarrin, ndërsa tymi i dendur mbuloi zonën.Pamjet nga vendngjarja tregojnë turistë dhe banorë që largohen me mjete lundruese, ndërsa flakët afrohen me shpejtësi drejt resortit. Në disa zona janë raportuar edhe dëme në banesa dhe apartamente pushimi.

Zjarret në Kroaci dhe Greqi janë pjesë e një vale më të gjerë zjarresh që ka përfshirë Europën këtë verë. Temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta kanë krijuar terren për përhapjen e flakëve, ndërsa shkencëtarët i lidhin këto kushte gjithnjë e më ekstreme edhe me ndryshimet klimatike.

Në kulmin e sezonit turistik, beteja me zjarret vazhdon në brigjet e Mesdheut, ndërsa autoritetet mbajnë në gatishmëri të lartë ekipet e emergjencës përballë rrezikut të riaktivizimit të vatrave.

ME TE LEXUARAT