YouTuberi amerikan në qendër të kritikave, hedh djalin 7-vjeçar nga shkëmbi për ta “mësuar të mos ketë frikë”

Një video e publikuar në rrjetet sociale nga YouTuberi i njohur amerikan, Garret Gee, ka shkaktuar valë reagimesh të forta në internet. Në pamjet që kanë bërë xhiron e rrjetit, 35-vjeçari shihet duke hedhur djalin e tij 7-vjeçar nga një shkëmb i lartë në det.
Krijuesi i përmbajtjeve për udhëtime familjare dhe babai i tre fëmijëve e justifikoi veprimin duke thënë se synonte t’i ndihmonte djalit të tij të kapërcente frikën.
“Kjo nuk është diçka që e kam bërë me të gjithë fëmijët e mi,” tha Gee, duke theksuar se çdo fëmijë është i ndryshëm dhe ka nevojë për qasje të personalizuar.
Videoja, e ngarkuar të dielën në Instagram, ka ndarë ndjekësit e tij – prej të cilëve shumë e kanë cilësuar veprimin si të papërgjegjshëm dhe rrezikshëm. Pavarësisht kritikave, Gee u shpreh se nuk kishte qëllim të jepte këshilla prindërore dhe as të promovonte këtë qasje për të tjerët.
“Sa herë që kemi mundësi, përpiqemi t’i mësojmë fëmijët tanë të përballen me sfida dhe të bëjnë gjëra të vështira që i pëlqejnë,” – shtoi ai përballë 436 mijë ndjekësve të tij.


