Si përballon Kievi sulmet e natës nga Rusia, qytetarët japin dëshmitë e tyre: Jeta jonë është e pasigurtë

Prej dy muajsh, Rusia ka ndërmarrë sulme të natës me dronë dhe raketa mbi Kiev si pjesë e një ofensive verore që po vë në provë mbrojtjen ajrore të qytetit, duke lënë të lodhur dhe në ankth 3.7 milionë banorët e tij. Qytete dhe fshatra të tjera kanë përjetuar më të keqen që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në fillim të vitit 2022 veçanërisht ato pranë vijës së frontit në lindje dhe jug.
Shumë prej tyre janë dëmtuar ose pushtuar ndërsa Rusia përparon, dhe mijëra njerëz janë larguar drejt kryeqytetit, i konsideruar si qyteti më i mbrojtur në vend. Por sulmet e rënda të fundit po ndryshojnë atmosferën. Gjatë natës, banorët nxitojnë drejt stacioneve të metrosë thellë nën tokë, në skena që sjellin ndër mend bombardimet “Blitz” të Londrës nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Slavytska ka filluar të kontrollojë në mënyrë të shqetësuar kanalet e Telegramit që në shtëpi, edhe para se të bien alarmet e qytetit, pasi një natë në fillim të korrikut u gjend duke vrapuar në rrugë për të arritur metronë, ndërsa shpërthimet gjëmonin në qiell. Numri i njerëzve si Slavytska që kërkojnë strehë në sallat e mëdha të epokës sovjetike dhe platformat me korrente ajri të 46 stacioneve të metrosë së Kievit u rrit ndjeshëm pasi qyteti u godit pesë herë gjatë qershorit nga bombardime masive.
Më parë, alarmi i zhurmshëm në telefonin e saj e bënte Emilin të dridhej nga frika dhe të qante “Korridori, korridori, mami. Kam frikë. Korridori, mami,” tha Slavytska. Tani, i mësuar me sulmet, ai thotë më qetë: “Mami, duhet të shkojmë.”
“Dikur vinim më rrallë këtu, rreth një herë në muaj,” tha Slavytska, duke u strehuar në stacionin Akademmistechko në perëndim të Kievit.
“Kjo ka qenë gjashtë muaj më parë. Tani vijmë dy ose tre herë në javë.”
Ajo e kaloi natën e mbështjellë mbi jastëkun e saj rozë me Emilin pranë një kolone në skaj të shinave të metrosë. Sistemi i metrosë regjistroi 165,000 vizita gjatë netëve të qershorit më shumë se dyfishi i 65,000 vizitave në maj dhe gati pesëfishi i numrit në qershorin e vitit të kaluar, tha shërbimi i shtypit për Reuters.
Më shumë njerëz po shkojnë në strehimore për shkak të “shkallës dhe vdekshmërisë” së sulmeve, tha për Reuters kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko. Ai tha se sulmet kanë vrarë 78 banorë të Kievit dhe plagosur më shumë se 400 gjatë gjysmës së parë të vitit.
Presidenti amerikan Donald Trump përmendi sulmet e Rusisë ndaj qyteteve ukrainase kur njoftoi të hënën vendimin për t’i dhënë Kievit më shumë armë, përfshirë raketat Patriot për të përforcuar mbrojtjen ajrore të tij.
“Është e pabesueshme që (njerëzit) qëndrojnë, duke e ditur se një raketë mund të godasë apartamentin tënd,” tha Trump. Në prill, një sulm shkatërroi një ndërtesë banimi vetëm disa kilometra larg pallatit të Slavytskës.
“Ishte aq, aq me zhurmë. Edhe djali im u zgjua dhe e mbajta në krahë në korridor,” tha ajo.
“Ishte shumë frikshme.”
Me kërcënimin për të humbur shtëpinë e saj që tashmë dukej më i afërt, ajo tani merr me vete dokumentet e identitetit kur zbret në metro.
Pasi pa sa shumë u stresua Emili nga alarmet, Slavytska kërkoi ndihmë nga një pediatër, i cili i rekomandoi të fikej njoftimi i zhurmshëm i telefonit dhe përshkroi një medikament qetësues. Slavytska i thotë Emilit se zhurmat gjatë sulmeve janë rrufe.
Shkencëtarët dhe psikologët thonë se mungesa e gjumit po ndikon rëndë tek një popullsi e rraskapitur nga mbi tre vjet luftë. Kateryna Holtsberh, një psikologe familjare që punon në Kiev, tha se mungesa e gjumit e shkaktuar nga sulmet po sjell luhatje humori, stres ekstrem dhe apati, duke çuar në rënie të funksioneve njohëse si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.
“Shumë njerëz thonë se nëse nuk fle mirë, jeta do të bëhet ferr dhe shëndeti do të përkeqësohet,” tha Kateryna Storozhuk, një tjetër banuese e rajonit të Kievit.
“Nuk e kuptova këtë derisa më ndodhi mua.”
Anton Kurapov, studiues pasdoktoral në Laboratorin e Kërkimeve për Gjumin, Kognicionin dhe Ndërgjegjen në Universitetin e Salzburgut, tha se ishte e vështirë për të huajt të kuptonin se çfarë ndjesie është të jesh nën sulm.
“Imagjinoni një situatë ku del në rrugë dhe një njeri qëllohet para syve të tu…”
Një studim i udhëhequr prej tij, i publikuar në European Journal of Psychotraumatology në gusht 2024, tregoi se 88% e ukrainasve të anketuar raportuan cilësi të keqe ose shumë të keqe të gjumit. Mungesa e gjumit mund të ndikojë ndjeshëm në performancën ekonomike dhe në aftësinë e ushtarëve për të luftuar, tha Wendy Troxel, shkencëtare e lartë e sjelljes në RAND Corporation, një institut amerikan studimor.


